Më në fund zhbllokohet Vllaznia. Klubi shkodran do të ketë në dispozicion një shumë prej 440 milionë lekësh të vjetër për të administruar më së miri pjesën e mbetur të sezonit 2019-2020, si dhe për fillimin e kampionatit të ardhshëm.

Dje asambleja e Vllaznia sh.a, mes debatesh e shumë diskutimesh, ka miratuar buxhetin për vitin 2020, duke i hapur rrugë zhbllokimit të situatës së vështirë që çoi pak ditë më parë edhe në bojkotin e futbollistëve kuqeblu nga seancat stërvitore. Tashmë në pak kohë lojtarët dhe stafi do të mund të marrin pagat e prapambetura të muajve shkurt, mars, prill dhe maj.

Premtimi ka qenë që para ndeshjes me Flamurtarin më 3 qershor, lojtarët do të marrin të paktën një pagë. Në mbledhjen e së premtes, pika e parë e rendit të ditës, ajo për zvogëlimin e thjeshtuar të kapitalit, nuk u miratua, sepse duhet të ishin të pranishëm 3/4 e anëtarëve të asamblesë.

Pika e dytë e rendit të ditës, ajo e buxhetit, u miratua, pavarësisht debateve dhe replikave mes administratorit Suad Lici dhe anëtarit të asamblesë, Arbis Vjerdha.

Po ashtu, asambleja votoi me minimumin e votave pasqyrat financiare të 2018-ës, të cilat kanë ardhur të modifikuara, ashtu si dhe buxheti i 2020-ës.

Kjo është mbledhja e parë që Këshilli Bashkiak, i cili në këtë rast ka funksionin e asamblesë së Vllaznisë, u mblodh që nga momenti kur gjithçka u bllokua nga pandemia e “COVID-19”. Bojkoti i stërvitjes nga skuadra ndërgjegjësoi Këshillin Bashkiak të mblidhej për Vllazninë.

BORDI I RI DHE NGËRÇI

Asambleja e Vllaznia sh.a, përveç buxhetit, ka votuar edhe për një këshill të ri mbikëqyrës ose bord drejtues, siç quhet, ku mes pesë emrave spikat ai i legjendës së futbollit shkodran, Hysen Zmijani. Votimi i bordit ka një ngërç ligjor dhe tashmë mund të çojë në një përplasje me kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, për shkak se për miratimin e këshillit mbikëqyrës janë dy ligje.

Një ligj është për shoqëritë aksionere, që i jep të drejtë asamblesë që t’i emërojë anëtarët e bordit, ndërsa një ligj i vjetër dhe ai i 2015-ës për vetëqeverisjen vendore ia jep të drejtën për të vendosur emërimin e anëtarëve të këshillit mbikëqyrës kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.

Në fakt, që në dhjetor të vitit 2018 këshillit të mëparshëm mbikëqyrës i ka mbaruar mandati dhe që atëherë kryebashkiakja Ademi nuk ka bërë emërimin e anëtarëve të rinj të këshillit mbikëqyrës. Duke mos qenë funksional ky bord, për rrjedhojë kanë mbetur pa raportin përkatës të këtij bordi edhe pasqyrat financiare të 2018-ës të Vllaznia sh.a, të cilat nuk janë dërguar në këshillin e vjetër për t’u miratuar dhe për rrjedhojë janë trashëguar në këshillin aktual.