Dukej e vështirë, por Kai Havertz ka bërë që në Gjermani të kalojë në plan të dytë emri i Erling Haland. Sulmuesi i Bajer Leverkusen vazhdon të shkëlqejë duke shënuar gola dhe regjistruar rekorde mbresëlënëse, për të vërtetuar se do të jetë në vitet në vijim një nga emrat më të spikatur të futbollit në këtë vend.

Sot, në ndeshjen ndaj Frajburgut, ai shënoi golin e vetëm të fitores 1-0 të ekipit të tij, fitore e cila mjaftoi për të kthyer Bajer Leverkusën në vendin e 3 në klasifikim me shpresën për të qenë pjesë e Ligës së Kampioneve në edicionin e ardhshëm.

Për Havertz, ky ishte goli i 5 në 3 ndeshjet e luajtura pas ndërprerjes për pandeminë, duke qenë futbollisti më në formë në Bundesligë.

Për më tepër, ai arriti kuotën e 35 golave në këtë kompeticion, duke hyrë në historinë e tij si një rekordmen i ri. Në fakt, askush nën moshën nën 21 vjeç nuk ka shënuar kaq shumë gola në historinë e këtij turneu, duke e bërë atë një emër që do të mbetet një objektiv për t’u arritur nga të rinjtë e tjerë që luajnë në këtë kampionat në të ardhmen. /vipsport/