Në prag të supersfidës ndaj Juventusit, Antonio Konte në konferencën e dhënë për shtyp ia kalon presionin “Zonjës”. Ai u shpreh se skuadrat nisin nga dy nivele të ndryshme dhe se Juventusi për momentin është një skuadër më e mirë se Napoli.
“Shpresojmë që të dalë një ndeshje e bukur edhe pse nuk mund të parashikoj asgjë për rezultatin. Ne e fillojmë këtë ndeshje nga dy nivele të ndryshme. Në raport me vitin e kaluar ne kemi 18 pikë për të rikuperuar, por sigurisht që të dyja skuadrat duan të fitojnë. Siç e thash më parë, e nisim këtë ndeshje nga nivele të ndryshme, por shpresojmë se në ndeshjen e kthimit në shtëpinë tonë të flasim nga të tjera kushte.
LUKAKU- Sulmuesi belg duket se është arma më e fortë e Kontes në Napolin që po përpiqet të ndërtojë. Sulmuesi belg e njeh shumë mirë Juventusin, por eksperiencat në Torino nuk kanë qenë shumë të këndshme për 31-vjeçarin, sidomos gjatë periudhës kur luante për Interin. Në eksperiencën e tij të re me Napolin, Lukaku duket se po kalon një ringjallje në karrierë, sërish me Konten pas eksperiencës te ziklatrit.
Në dy ndeshjet e tij të para, Lukaku ka arritur të realizojë dy gola dhe po aq asiste. Konte është duke pritur të njëjtën paraqitje nga sulmuesi belg, por historinë e ka kundër. Asnjëherë në karrierë belgu nuk ka arritur dot të realizojë në tri ndeshje radhazi në sfidat e para të kampionatit. Këtë statistikë Konte dhe Lukaku kërkojnë që ta prishin dhe t’i shkaktojnë “Zonjës” humbjen e parë.