Nga Endri ÇINARI
Largimi i papritur i Arsid Krujes para pak ditësh nga Vllaznia, ashtu siç ishte paralajmëruar, ka lënë një “boshllëk” në krahun e djathtë të Vllaznisë. Në një moment ku mendohej se 31-vjeçari do ishte një rival i fortë për një vend në formacion këtë edicion, bazuar edhe nga skema 3-5-2 që aplikon më së shumti Martini, gjithçka ka ndryshuar me ardhjen e Sherif Kallakut në skuadër.
Ish-futbollisiti i Teutës pavarësisht se ende nuk është në formën e duhur fizike, shikohet si një element i formacionit tek kuqeblutë. Fakt që bën Malen të “spostohet” nga roli i fantazistit, të cilin prizrenasi e kishte mbuluar në ndeshjet e Conference League. Kështu ai për t’i “lënë” pozicionin natyral Kallakut, është “transferuar” sërish në krahun e djathtë, pozicion ky i preferuar për numrin “20-të” të Vllaznisë.
Në këtë mënyrë i “sakrifikuari” ka qenë Arsid Kruja, për të cilin hapësirat dhe minutat në formacion do ishin me “pikatore” duke parë afrimet e fundit tek shkodranët. Kështu tashmë Mala nga mesfusha do jetë sërish në krahun e djathtë. Gjithmonë nëse do jetë Gurishta ai që do preferohet si qendër mbrojtës në mbrojtjen me 3 që paraqet Martini. Po nëse luhet me 4 në prapavijë, një alternativë për krahun e djathtë është edhe i riu Amir Brahimi.
Shanset janë që Martini të luajë me tre lojtarë prapa dhe si rrjedhojë Mala do jetë sërish futbollist që do aktivizohet në mesfushë, ku së bashku me Kallakun dhe Krymin formon një nga treshet më të forta në letër të kampionatit përsa i përket këtij reparti.(www.shkodrasport.com)