Në harkun e 48 orëve Super Liga Europiane, e mbështetur nga banka “JP Morgan” shkoi nga plan që kërcënoi futbollin në një tullumbace që plasi vetë. “Tradhti”, “gjarpërinj”, “gënjeshtarë” ishin disa nga epitetet e përdorura nga drejtuesit për njëri-tjetrin, të cilët nga shokë u bënë armiq dhe mund t’u kushtojnë klubeve të tyre miliona humbje për shkak të humbjes së besimit në publik dhe tifozëri.

Super Liga ishte një ide shumëmiliardëdollarëshe, e ideuar shumë vite më parë, përpara se të shpërthente një sherr që u përshkallëzua dhe këtë javë përfshiu njerëzit më të fortë të këtij sporti, qeveritë, por dhe tifozët, faktorin kryesor që e rrëzoi atë.

E ENJTE, 15 PRILL (MBRËMJE) – Shefi i Junajtidit, Ed Uduard, i telefonon presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin dhe i thotë se është i kënaqur dhe mbështet planin për të reformuar Champions-in nga 32 në 36 skuadra. Uduard, tha Ceferin, kishte firmosur në fakt një kontratë për krijimin e Super Ligës. Biseda rrëshqet nga mbështetja e planeve të UEFA-s për “Fair Play”-n Financiar, pa ndonjë shenjë pakënaqësie nga ana e Junajtidit. Në këtë pikë, Junajtidi, Liverpuli, Juve, Reali dhe Barça udhëheqin grupin që përfshin edhe Totenhemin, Arsenalin, Milanin dhe Interin.

E PREMTE, 16 PRILL (MËNGJES) – Është një ditë e madhe për UEFA-n, me takimin e Komitetit të Konkurrencës dhe Shoqatën e Klubeve Europiane (ECA) për të finalizuar planet për ndryshimin e formatit të Champions-it, të cilin kanë muaj që e diskutojnë. ECA takohet, me të 12-ta klubet e Super Ligës së ardhshme, të cilat lënë jashtë vëmendjes dallimet e tyre për ndarjen e të ardhurave, ose të paktën këtë i thanë UEFA-s. Bihet dakord që planet finale do të vulosen të hënën dhe takimet përfundojnë me UEFA-n optimiste që ka gjetur një marrëveshje. Por, ata ishin gabuar…

PASDITE – Me Super Ligën ende sekret, firma ligjore “Clifford Chance” aplikon për regjistrimin e markës “The Super League” dhe logon e tyre të re në Gjermani. Klubet bëhen gati të shpërthejnë bombën, por gjithçka mbetet një thashethem për momentin. Çelsi dhe Siti bien dakord t’i bashkohen grupit rebel dhe me ato 12 skuadra janë mjaftueshme të forta për të dalë vetëm, pavarësisht se PSG-ja dhe Bajerni nuk kanë firmosur.

E SHTUNË, 17 PRILL (PASDITE) – Presidenti i Juves, Andrea Anjeli, flet me Ceferinin. Presidenti i UEFA-s kishte dëgjuar zëra për planin e shkëputjes, i diskutuar prej vitesh, por nuk kishte avancuar kurrë dhe donte të fliste me një njeri të besuar. Ceferin është nuni i vajzës së Anjelit dhe të dy kanë punuar ngushtësisht së bashku për planet e ndryshimit të Champions-it. Por, Anjeli e siguron mikun e tij: “Mos u mërzit, asgjë nuk po ndodh. Do të të telefonoj për një orë”. Ai fik telefonin dhe nuk ka më kontakt.

E DIEL, 18 PRILL (MËNGJES) – Grupi i “WhatsApp” i shefave të ECA-s shpërthen në njoftime, ata po bëhen më të vetëdijshëm për tradhtinë e Super Ligës. Anjeli është presidenti i ECA-s, por edhe aktori kryesor që kërkon largimin nga struktura tradicionale e futbollit europian. Për këtë sjellje, më vonë Ceferin do ta quajë atë “një gjarpër”.

ORA 13:29 – Tani, zërat po qarkullojnë publikisht për krijimin e Super Ligës. “DailyMail” raporton se në mbrëmje pritet lajmi i zyrtarizimit. 12 klubet heshtin, pyetjet e gazetarëve nuk marrin përgjigje. Nis paniku. UEFA, Premier Liga dhe shumë organizata të tjera lëshojnë deklarata kërcënuese për klubet rebele me përjashtim nga kompeticionet dhe bllokimin e lojtarëve për të luajtur me kombëtaret e tyre në Europianin e verës.

ORA 14:30 – Legjenda angleze, Geri Lineker, shkruan në “Twitter”: “Nëse kjo është e vërtetë, do të ketë përçarje të mëdha në këtë lojë. E bujshme! Futbolli nuk vlen asgjë pa tifozët. E kemi parë këtë qartë në 12 muajt e fundit. Nëse tifozët qëndrojnë bashkë kundër kësaj skeme piramidale anti-futbolli, mund të ndalet që në fillimet e saj”. Shpërthejnë kritikat. Gerni Nevil, duke komentuar ndeshjen Junajtid-Bërnlej në “Sky Sport” shpërthen në një sulm:

“Premier Liga duhet t’u zbresë pikë 6 klubeve të mëdha që këtë sezon. Ta bëjnë këtë që këtë sezon është një shaka. Është absolutisht një skandal. Junajtidit dhe 5 klubeve të tjera duhet t’u vijë turp nga vetja”. Xhemi Karrager duke komentuar të njëjtën ndeshje, e quan një turp ish-klubin e tij, Liverpulit. Roi Kin thotë se kjo ka ardhur për shkak të lakmisë së parave. Por, nuk është vetëm një debat futbolli. Përfshihet edhe politika dhe ndërhyjnë edhe kryeministrat e vendeve më të mëdha nga Makron te Xhonson që e quajnë shumë dëmtuese.

ORA 23:29 – Dy orë më vonë, klubet lëshojnë deklaratën e përbashkët që lexon: “12 klubet drejtuese të Europës janë bërë bashkë sot për të njoftuar se kanë rënë dakord për të krijuar një kompeticion të ri mesjave, Super Ligën, e cila do të drejtohet nga klubet e veta themeluese”.

Pavarësisht kërcënimeve me përjashtim nga kampionatet e tyre, klubet thonë se duan të vazhdojnë të jenë pjesë e kompeticioneve vendëse. Në total do ketë 20 skuadra, me 2 të tjera që pritet t’u bashkohen themelueseve dhe 5 do të kualifikohen në bazë merite çdo sezon. Florentino Perez i Realit është presidenti, Anjeli zv/president bashkë me pronarin e Junajtidit, Xhoel Glejzër. Çuditërisht Junajtid nuk poston në “Twitter” përfshirjen e tij. Reagimi i tifozëve “online” është shumë negativ.

E HËNË, 19 PRILL (ORA 9:00) – Nëse dikush nuk po e merrte seriozisht Super Ligën, tani nisi ta bëjë. 12 klubet i dërgojnë një letër FIFA-s dhe UEFA-s duke lëshuar njoftim për procedurat ligjore në gjykatat europiane që të bllokojnë çdo sanksion që ato mund të përpiqen t’u vendosin. Ndërkohë, Anjeli udhëheq eksodin nga ECA. Ai jep dorëheqjen, kështu bën edhe Uduard dhe përfaqësuesit e 12 klubeve të Super Ligës japin gjithashtu dorëheqjen.

ORA 10:00 – Përpara ndeshjes me Lidsin, trajneri i Liverpulit, Jyrgen Klop, i tërbuar mban një takim me lojtarët e tij për të qetësuar rebelimin e tyre, duke u thënë të injorojnë zhurmën e Super Ligës dhe të përqendrohen te ndeshja. Gjermani është i zemëruar me pronarët e Liverpulit.

ORA 10:04 – Dortmundi dhe Bajerni konfirmojnë se nuk do t’i bashkohen Super Ligës dhe i qëndrojnë marrëveshjeve me ECA-n dhe se ndjekin dëshirën e tifozëve të tyre. Mes kaosit, Totenhemi shkarkon Zhoze Murinjon. Ajo që do ishte lajmi i ditës, mezi përfundon edhe në faqen e fundit atë natë.

11:32 – Mesfushori i PSG-së, Ander Herrera, është i pari futbollist që reagon publikisht kundër Super Ligës. Ai thotë se ajo do të shuajë ëndrrat. Ozil flet gjithashtu kundër. Mes zërave më gjerë spikasin ato kundër të Fergusonit dhe Vengerit, por lojtarët dhe trajnerët e klubeve heshtin.

ORA 13:30 – Trajneri i Çelsit, Tomas Tuhel, është i pari që komenton, kur e pyesin në konferencë përpara ndeshjes me Brajtonin mbrëmjen e së martës. “I besoj klubit tim për të marrë vendimet e drejta. Mendoj se është shumë herët për të gjykuar”, thotë gjermani që refuzon të vazhdojë t’u përgjigjet më tej pyetjeve të gazetarëve kur ato bëhen më këmbëngulëse.

13:49 – Bruno Fernandesh (Junajtid) është ylli i parë i Super Ligës që flet kundër saj, duke postuar mesazhin: “Ëndrrat nuk mund të blihen”.

ORA 14:00 – Ceferin shfaqet i zemëruar në një konferencë për shtyp. I etiketon Uduardin dhe Anjelin si “gjarpërinj” dhe “gënjeshtarë”. “Kam qenë avokat penalist për 24 vite, por nuk kam parë kurrë njerëz të tillë”, shton dhe kërcënon se do t’i përjashtojë klubet rebele nga të gjitha kompeticionet e saj dhe kampionatet e tyre: “Futbolli nuk është i gjithi i korruptuar. Vetëm një pjesë e vogël, udhëhequr nga njerëz të babëzitur, të cilëve nuk u intereson asgjë tjetër”.

ORA 17:00 – Qeveria britanike thotë se do të bëjë gjithçka për të ndaluar shkëputjen e 6 klubeve të Premier Ligës. Përmendet kërcënimi i pezullimit të transferimeve të huaja. Por, “Big 6” nuk lëkunden. Një drejtues bordi i njërit prej këtyre klubeve thotë për “Sky Sport”: “Kjo nuk është një luftë civile, por një luftë bërthamore. Ka shumë pjesëtarë të bordeve në të 6-ta klubet që janë kundër kësaj krijese, por ata ndihen se nuk kanë fuqinë për ta ndaluar atë”.

ORA 19:00 – Liverpuli bëhet gati për ndeshjen me Lidsin. Në “Elland Road” autobusi i tyre rrethohet nga tifozë të zemëruar. Trajneri Klop thotë përpara kamerave: “Nuk e dua këtë shkëputje”. Kapiteni Milner atë ditë thotë pas ndeshjes se shokët e tij janë kundër.

ORA 21:00 – Perez, kreu i Super Ligës, shfaqet në një program televiziv në Spanjë. 74-vjeçari e quan Super Ligën një domosdoshmëri ekonomike për futbollin që do ta shpëtojë sportin dhe nëse nuk ndodh, futbolli vdes në 2024-ën. Ai kërcënon, gjithashtu se klubet që mund të tregojnë lëkundje tani nuk mund të kthehen pas sepse kanë firmosur kontratat.

ORA 22:00 – Perez është i vetmi drejtues që ka folur për momentin, nga të tjerët ka vetëm heshtje.

E MARTË, 20 PRILL (ORA 9:06) – Shfaqet krisja e parë e Super Ligës. “DailyMail” zbulon se dy klubet e para, Çelsi dhe Siti po lëkunden. Geri Nevil shkruan se Siti është klubi më i mundshëm që pritet të thyhet. “Bild” shkruan më vonë se Liverpuli nuk ndihet i qetë pas kësaj këtyre përplasjeve. Por, Super Liga vazhdon të qëndrojë e sigurt se nuk ka shumë shanse që ekipet të tërhiqen.

ORA 10:00 – Evertoni është klubi i parë i 14-ekipeve të Premier Ligës që kërkon ndëshkimin e “Big 6”-ës, i mbështetur më pas nga ekipet e tjera.

ORA 10:30 – Pas zemërimit të Klopit, trajneri gjerman bëhet favorit i kompanive të basteve për t’u larguar. Ka zëra se zemërimi i gjermanit me drejtuesit mund të sjellë dorëheqjen e tij nga “Anfield”.

ORA 12:45 – Kryeministri Xhonson thotë se do të hedhë një “bombë legjislative” për të penguar klubet angleze të shkojnë në Super Ligë.

ORA 13:30 – Edhe Pep Guardiola flet kundër projektit të Super Ligës. Ai nuk e quan më sport dhe kërkon sqarime nga presidentët për këtë plan. Lojtarët e tij i dalin në krah. Shtohen zërat e lojtarëve kundër. Kapiteni i Liverpulit, Xhordan Henderson, thërret kolegët e tij të klubeve të tjera në një takim urgjent për të unifikuar qëndrimin.

ORA 16:00 – Presioni vazhdon. Lineker thotë se nuk do punojë kurrë për kompaninë televizive që do transmetojë Super Ligën, por “Sky”, “BT”, “Amazon” dhe “DAZN” e distancojnë veten si blerëse të mundshme të së drejtës televizive.

ORA 17:00 – Një gjykatë në Spanjë vendos se FIFA dhe UEFA nuk duhet t’u vendosin sanksione 12 klubeve apo lojtarëve të tyre.

ORA 17:30 – Tifozët e Çelsit zbresin në rrugët e Londrës. Me thirrje për largimin e pronarit Abramoviç dhe presidentit Brus Bak, ata bllokojnë rrugën “Fulham”. Me kalimin e orës, turma shtohet, policia e ka të pamundur t’i shpërndajë dhe kuptohet se një mijë tifozë kanë qëllim të bllokojnë autobusin e skuadrës që po i drejtohet “Stamford Bridge” për ndeshjen me Brajtonin në orën 21:00.

ORA 18:25 – Drejtori teknik i Çelsit, Peter Çeh, zbret mes tyre dhe u thotë se do ta zgjidhin, por të hapin rrugën për autobusin. Në drejtim të ish-portierit më të madh të klubit vijnë edhe thirrje “tradhtar m…”

ORA 18:48 – Papritur, në turmë mbërrijnë zërat e parë se Çelsi po bëhet gati të tërhiqet. Nis festa. Më pas mësohet se të njëjtën gjë do të bëjë edhe Siti dhe Atletiko që do të pasojnë efektin domino. Uduard jep dorëheqjen nga Junajtidi.

ORA 19:30 – Pronari i Çelsit, Abramoviç tërbohet për telashet në të cilat ka hyrë klubi i tij me tifozët dhe ia shkarkon zemërimin e tij presidentit Bak.

ORA 21:23 – Siti konfirmon zyrtarisht se ata janë jashtë. Klubi i parë që braktis Super Ligën.

ORA 22:55 – “Qytetarëve” u bashkohen klubet e tjera angleze, Liverpuli, Junajtidi, Arsenali dhe Totenhemi.

ORA 00:45 – Çelsi e lë pas ndeshjes me Brajtonin që të zyrtarizojë daljen e tij dhe e lëshon deklaratën pak më vonë. Super Liga po shuhet me largimin e klubeve angleze. Arsenali, Liverpuli dhe Junajtidi u kërkojnë ndjesë tifozëve dhe e quajnë një gabim.

E MËRKURË, 21 PRILL (ORA 10:00) – Anjeli pranon humbjen dhe i thotë “Reuters” se për momentin plani është anuluar. Pas një ore Atletiko tërhiqet zyrtarisht dhe ndiqet nga Interi dhe Milani.