Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë në fillimin e muajit tetor edicionin e dytë të kursit për skautët e futbollit. Ky kurs do të udhëhiqet nga Sektori i Edukimit në FSHF dhe do të zhvillohet i ndarë në tre periudha; 1 – 4 tetor, 28 – 31 tetor dhe 4 – 8 nëntor.
Kursi i FSHF-së për skautët e futbollit do t’u ofrohet të gjithë atyre që punojnë apo duan të punojnë me klubet si zbulues talentesh. Synimi është që t’u ofrojë pjesëmarrësve mbështetjen dhe njohuritë e nevojshme stërvitore e përgatitore për të zhvilluar aktivitete në lidhje me vëzhgimin, analizën, vlerësimin dhe skautimin e lojtarëve dhe ekipeve.
Për t’u regjistruar në këtë kurs të gjithë kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e mëposhtme:
a) Mosha minimale 20 vjeç, e plotësuar në datën e afatit të aplikimit;
b) Diploma e shkollës së Mesme;
c) Aktivitetin që ushtrojnë;
d) Numër kontakti
e) Fotokopje e ID ose e Pasaportës.
Nuk do të pranohen në kurs kërkesat e dërguara nga kandidatët e dënuar mbi 180 ditë nga Komisionet Disiplinore të FSHF-së; studentët të cilët, ndërsa ndjekin kursin, do të pësojnë një pezullim prej më shumë se 180 ditësh nga Komisionet e FSHF-së; kandidatët e dënuar përjetësisht nga Komisionet e FSHF-së; studentët të cilët gjatë zhvillimit të kursit dënohen nga autoritetet pezullohen nga kursi.
Kërkesa për regjistrim duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën drejtoria.edukimit@fshf.al, përmes postës së zakonshme me konfirmim marrje në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë në të njëjtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 25.09.2024 dhe aplikimet që do të mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen.#
Për çdo informacion në lidhje me aspektet logjistike dhe organizative të kursit mund të kontaktoni sekretarinë e shkollës tek adresa e postës elektronike: drejtoria.edukimit@fshf.al.
Kursantët që do të përfundojnë me sukses kursin për skautët e futbollit do të pajisen me një licencë nga FSHF për ushtrimin e këtij profesioni.