Eni Imami ishte një largim surprizë nga Vora. Klubi i Superiores njoftoi largimin e qendërmbrojtësit 31-vjeçar edhe pse ky i fundit në sezonin e fundit ishte një nga pikat kyçe të ekipit, duke ndihmuar në ngjitjen në elitë.

“Kam kaluar shkëlqyer për aq sa zgjati. Besoj se detyrat e mia i kam bërë në nivel maksimal. Fati i keq është Kategoria e Parë dhe nuk e ka aty syrin që ka Superiorja. Se them se dua t’i bëj qejfin vetes, por të luash çdo ndeshje në formacion, nuk besoj se të fut njeri nëse nuk paraqitesh mirë.

Më vjen keq që u mbyll këtu, pasi kisha akoma për të dhënë. Por drejtuesit ashtu mendojnë. Mua kontrata më mbaroi dhe jeta vazhdon. Përveç se suksese, s’kam asgjë tjetër për të thënë. Raport normal, reciprok dhe profesional”, është shprehur shkurt Imami në një prononcim të dhënë për newsport.

Kujtojmë që Vora ka marrë për qendrën e mbrojtjes shkodranin Serjan Repaj. Të jetë një zëvendësim “kokë më kokë”? Kjo mbetet për t’u parë në vazhdim…