Peshëngritja është një nga sportet që i ka sjellë vendit më shumë medalje dhe krenari nga garat ndërkombëtare. Natyrisht, ajo ka pasur oshilacionet e saj në prezantimet ndërkombëtare dhe momentalisht është në një fazë përtëritje, pasi grupi i sportistëve veteranë, edhe pse vijon të jetë me rezultate më lart se të rinjtë, pak nga pak po hap krahun. Një problem më vete mbetet pjesëmarrja në Olimpiadë, por sinjalet e fundit nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes flasin për një ftesë dhe kjo ftesë i mundëson pjesëmarrjen në Paris-2024 shtangistit Briken Calja.

Ndërkohë, para pak ditësh FSHP-ja organizoi kampionatin kombëtar të moshave U-15 dhe U-17, dhe rezultatet ishin të mira. Ishin pikërisht rezultatet që entuziazmuan drejtuesit, pasi procesi i zëvendësimit të brezit ka nisur tashmë dhe brenda pak vitesh Shqipëria do të ketë një brez të ri të talentuarish në peshëngritje, që besohet se do të na përfaqësojnë me dinjitet në garat e mëdha europiane e botërore. Por gara që do të jetë testi i vërtetë për këto mosha është Europiani i Selanikut që zhvillohet këtë muaj. Për të mësuar më shumë rreth aktivitetit dhe pretendimeve, gazeta “SOT” kontaktoi trajnerin e ekipit kombëtar, njeriun që e ka shndërruar Shtërmenin e tij në “fabrikë” të shtangistëve cilësorë, Leonard Toska, i cili konfirmoi këto pretendime të federatës.

– Kampionati që u zhvillua ditë më parë në Durrës zbuloi disa talente në moshat 15 dhe 17 vjeç. Duke qenë se ju vetë morët pjesë me disa sportistë dhe keni edhe sportistin më të mirë të kampionatit në këtë kategori moshe, deshëm një mendim specialisti për gjendjen, pretendimet dhe padyshim rezultatet që gëzon aktualisht ky kontigjent të rinjsh e veçmas sportistët tuaj. Çfarë prisni nga Europiani i Selanikut?

– Pres medalje, patjetër. Në këtë moment që flasim ne kemi një kontigjent cilësor sportistësh të moshave 15 dhe 17 vjeç dhe unë jam i sigurt që në Selanik shkojmë për të fituar shumë medalje. Në moshën U-15 kemi Antonino Mullisin, të moshës U-15, por edhe një vajzë që gjithashtu ka pretendime për këtë moshë dhe është vërtet me rezultate të mira. Po në moshën 15-vjeçare, kemi në skuadrën e Shtërmenit, Kasharin, i cili ka rezultate premtuese. Ai garon në peshën 102 kg dhe me rezultatet që ka aktualisht mund të futet në vendin e 3-të apo të 4-t, pra është pretendent për medalje. Ndërsa sa u takon dy sportistëve më të mirë, Samoel Rrasa dhe Enkileda Carja, mund të them se ata janë jo vetëm prurje cilësore, por po vijnë vrullshëm në lartësitë e kërkuara. Ne në aktivitetin e Selanikut pretendojmë të fitojmë 10-12 medalje në dy kategoritë U-15 dhe U-17. Të kuptohemi, aktiviteti zhvillohet në të njëjtin vend dhe në të njëjtat data, por janë kategori të ndryshme moshe dhe kuptohet edhe në kategori të ndryshme peshe.


– Sportisti juaj Rrasa doli më i miri në kampionatin e fundit. Padyshim që është premtues. Deri ku janë limitet e këtij sportisti?

– Rrasa shkon në Europianin e Greqisë në Selanik për medalje të padiskutueshme. Unë jam trajneri i tij, i njoh aftësitë e sportistit, i di rezultatet ndaj dhe jam optimist. Madje jam entuziast dhe as që diskutohet se do të fitojmë medalje me të. Ai ka pasur një dëmtim kohët e fundit, por do të jetë në garë. Momentalisht që flasim, ai ka rezultat 132 kg në shkëputje, 160 kg në shtytje dhe do të garojë për moshën U-17 në peshën trupore 73 kg. Për këtë moshë, rezultati është shumë i mirë.

– Edhe për vajza Carja ka rezultate premtuese dhe në ngjitje…

– Natyrisht që edhe me Carjen shpresojmë medalje, pasi e ka potencialin. Në kampionatin e fundit ajo garoi me U-17 dhe rezultatet e saj momentalisht janë 90 kg në shkëputje dhe 110 kg në shtytje, në peshën trupore 64 kg. Këta dy sportistë, Rrasa dhe Carja do të na sjellin medalje në mënyrë të padiskutueshme.

– Çfarë po ndodh me Ertjan Kofshën?

– Ertjan Kofsha është sportist i niveleve botërore për moshën që ka. Unë kam besim të madh në aftësitë e tij dhe në rezultatet e tij. Do ta marr me vete në Selanik (edhe pse ai nuk është për gara) pasi nuk dua që ai të humbasë asnjë ditë nga stërvitja. Më 10 shtator do të ketë garën e madhe të këtij viti, një Botëror për moshën U-20, ku ai pretendon medalje ari. Botërori i shtatorit do të zhvillohet në Spanjë. Aktualisht, rezultatet e Ertjanit janë 167 kg në shkëputje dhe 200 kg në shtytje. Garon në peshën 96 kg, por nuk e kemi vendosur përfundimisht në cilën kategori peshe trupore do ta aktivizojmë, pasi mund të zbresim edhe në 89. Së shpejti do të jetë lideri i vërtetë i peshëngritjes shqiptare në garat ndërkombëtare. Unë si trajner i tij i di aftësitë dhe e di kapacitetin e tij, ndaj dhe jam entuziast që mund të kemi një kampion bote. Dhe do ta kemi.


– Kohët e fundit drejtuesit e federatës folën për një proces rinimi në peshëngritje, duke nënkuptuar se cikli i veteranëve është mbyllur dhe po hapet një cikël i ri, ndaj dhe iu bë shumë jehonë kampionatit të fundit të moshave. Cili është mendimi juaj?

– Më doli fjala që ne nuk do të kemi asnjë të kualifikuar në Olimpiadë. Unë muaj më parë, në një intervistë që dhashë për gazetën tuaj e paralajmërova këtë situatë, jo se jam më i mençur por nga përvoja dhe njohja me rregulloret ndërkombëtare të shtangës. Nisur nga rezultatet që kishim, por edhe vështirësia që pati për peshëngritjen si pasojë e reduktimit të peshave, erdhëm në këtë gjendje. Pra kualifikimi për ne ishte i vështirë. Nga 10 pesha pranoheshin vetëm 5, ndaj u rrit konkurrenca dhe u bë i vështirë kualifikimi. Por Shqipëria ka potencial të madh në peshëngritje, ajo nuk duhet të gëzohet me ftesë, por të sigurojë kualifikim direkt. Gjithsesi, nga informacioni që kemi nga federata, duket se për shtangën shqiptare do të ketë një ftesë, e cila ka ardhur ditët e fundit, ndaj Calja mund të jetë në Olimpiadë. Performanca më tej varet por në peshën 73 kg rivaliteti është i jashtëzakonshëm.


– Të kthehemi tek ekipi juaj. Çfarë prisni në të ardhmen e afërt?

– Mua s’më pëlqejnë lavdërimet por puna. E falë rezultateve që kemi nga sportistët, mund të them se në shtator dhe tetor, shtanga e Shtërmenit do ta tronditë Ballkanin me rezultatet e veta. Dhe ju e dini që unë nuk flas kot, por qëndrimet e mia i kam mbi rezultatet e sportistëve.

– A jeni i kënaqur nga kushtet?

– Gjithmonë ka vend për përmirësim, por më duhet të përgëzoj në këtë moment kreun e federatës, Elez Gjozaj, që ka bërë çmos për një grumbullim të përhershëm në palestrën tonë të katër sportistëve. Këta të katër hanë mëngjes, drekë e darkë këtu dhe stërviten me një disiplinë për t’u marrë shembull. Falë kësaj ndihmese puna po ecën. Vetëm me punë dhe disiplinë do t’i kapim objektivat që i kemi vënë vetes. Tani po përgatitemi për Europianin e Selanikut, ku duam jo vetëm medalje, por t’u japim mundësinë sportistëve të shohin veten në raport me moshatarët europianë dhe të motivohen për më tej. Do ta shfrytëzojmë çdo mundësi që na jepet.

– Kur i parashikoni frytet e punës tuaj?

– Mendoj se frytet e para kanë ardhur, gjë që e dëshmojnë medaljet me moshat, por është me interes që të mendojmë që tani për Olimpiadën e vitit 2028. Kjo e tanishmja iku si iku, por për katër vjetët e ardhshëm duhet të kemi një projekt më serioz. Ia thashë edhe Fidelit (kreut të KOKSH-it Fidel Ylli) që ne kemi potencial të madh në peshëngritje dhe është turp për ne që nuk kemi asnjë sportist të kualifikuar me normë në Olimpiadë. Shtanga jonë nuk duhet ta diskutojë kualifikimin në Lojërat Olimpike. Kemi elementë premtues te moshat dhe unë i përmenda më sipër. Nëse punohet si duhet ata do të bëhen kampionë të mëdhenj. Kofsha është tashmë një i tillë, do të bëhet dhe Rrasa, edhe Kashari, edhe Mullisi e të tjerë. Edhe te vajzat kemi disa elemente premtuese. Le t’i mbështesim e të punojmë për të pasur në të ardhmen rezultate të larta.