Vitet e fundit në Shqipëri janë krijua ekipet “B” të klubeve të futbollit, duke nisur nga Vllaznia, Tirana, Partizani, Kukësi etj. Ato marrin pjesë në kategoritë inferiore dhe krahasohen me ekipet “Shpresa” të viteve ’70- ’80 të cilët kanë patur një ecuri të mirë dhe kanë ndihmuar në promovimin e futbollistëve të rinj.

Një pjesë e tyre kanë bërë karrierë më pas në ekipet e para dhe tek Vllaznia rastet nuk janë të pakta që ata kanë shkëlqyer më pas.

Sot po ju paraqesim një prej ekipeve “Shpresa” të klubit shkodran, pikërisht atë të sezonit 1982-83, periudhë kur ky ekip drejtohet nga të mirënjohurit Sabah Bizi dhe Menduh Dedja.

Përbërja e këtij ekipi na ka rënë në dorë nga një bllok shënimesh që na është vënë në dispozicion nga veterani i sportit Angjelin Deda, i cili për disa vite ka mbajtur edhe detyrën e inspektorit pranë klubit Vllaznia.

Kështu, sipas këtyre shënimeve, në sezonin 1982-1983 “Shpresa” e Vllaznisë kishte në përbërje këto futbollistë: Arvit Hoxha, Artan Bushati, Tonin Marku, Bujar Pikalaci, Besnik Bilali, Arzen Rama, Gac Doçi, Arben Laçja, Arjan Laçja, Vladomir Krisafi, Firdus Kamberi, Gilman Selvija, Artur Jubani, Benjamin Bizi, Ritvan Cungu, Zamir Bashli, ndërsa trajner kanë qenë Sabah Bizi dhe Menduh Dedja. Në këtë sezon, më të mirët e këtij ekipi kanë qenë futbollistët Bujar Pikalaci, Besnik Bilali, Arzen Rama dhe Artan Bushati.

A funksionon “Vllaznia B” sot si “Shpresa” e viteve më parë? Kësaj pyetje ndoshta më mirë se kushdo tjetër mund t’ia japin përgjigjen sportdashësit shkodranë.
© shkodrasport.com