Premtimi i bërë prej kohësh për ngritjen e një muzeu sportiv nuk u realizua dot në 100 vjetorin e Vllaznisë, megjithatë puna ka nisur dhe shumë shpejt Shkodra do ta ketë një të tillë. Sipas kryebashkiakes Ademi, muzeu do të ndërtohet në ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi” dhe sapo ky impiant sportiv të kalojë në administrimin e Bashkisë Shkodër, do të bëhet e mundur ngritja e tij.

Por gjithnjë sipas saj, puna ka nisur për mbledhjen e materialeve që do të jenë pjesë e këtij muzeu. “Ne kemi filluar punën për muzeun, kemi filluar të mbledhim fakte dhe dokumente që do të na shërbejnë për të, të cilat janë pjesë e historisë.

Muzeun mendojmë ta realizojmë në ambjentet e stadiumit dhe besoj se do ta kemi shpejt në dorën dhe administrimin tonë dhe prandaj do të kemi atje ambjentin e përshtatshëm për ndërtimin e tij. Ajo që po bëjmë në këto momente është t’u bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë për të dhënë diçka, për të mbledhur ato që nuk ka qenë e mundur të mblidhen gjatë gjithë këtyre viteve në një institucion e këtë po e bëjmë sot.

Është në detyrën tonë për të kthyer në memorien e të gjithëve, në memorien e atyre që do të vijnë, atë çfarë ka prodhur kjo shoqëri gjatë gjithë historisë së vet, deri në ditët e sotme”- është shprehur Ademi.

Historia mbi 100 vjeçare e sportit në Shkodër padiskutim që meriton të arkivohet diku. Vllaznia me historinë dhe traditat e saj ka se çfarë t’i dhurojë këtij muzeu që do të ishte në fakt një vlerë e shtuar e këtij qyteti.
© shkodrasport.com