Nga Endri ÇINARI

Ka qenë figura kryesore dhe pritet të jetë sërish ai që do udhëheqë skuadrën edhe në sezonin e ri. Fjala është për Bekim Balajn i cili tashmë në moshën 34-vjeçare ndoshta ka edhe mundësitë e fundit për të tentuar diçka të madhe me ekipin e tij të zemrës, Vllaznia. Sulmuesi i rikthyer në Shkodër që prej janarit të vitit 2023, ka qenë lideri absolut i kuqebluve në dy sezonet e fundit në Superiore dhe jo vetëm.

Me shtatlartin që jo vetëm ka qenë lojtari më i spikatur në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit, por edhe një nga më të mirët në kampionat. Ku dy herë u shpall si fitues i “Këpucës së Artë”, në sezonin 2023-24 me 17 gola të shënuar dhe në atë 2024-25 me 19 gola të shënuar. E gjatë kësaj periudhe duke merituar dy herë formacionin e vitit e po ashtu vlerësimin me çmimin si futbollisti më i mirë i Superiores për edicionin 2023-24.

Vlerësime dhe statistika që patjetër i “shkojnë për shtat” një futbollisti si Balaj, i cili është një nga prodhimet më cilësore të kampionatit shqiptar në 12-15 vitet e fundit. Me ish-sulmuesin e Tiranës që mbajti veshur edhe fanellën e kombëtares shqiptare në 48 raste, duke shënuar edhe 9 gola. Edhe në sezonin e ri, sytë e të gjithëve tek Vllaznia, por edhe mbarë qytetin janë pikërisht tek Balaj.

Ku sulmuesi pritet të jetë sërish në qendër të projektit dhe lojës së kuqebluve. Dhe pavarësisht futbollistëve të ndryshëm që mund të vijnë, ai do ngelet sërish lideri numër një i skuadrës. Për vetë atë çfarë numri “9” përfaqëson në fushën e lojës, por edhe jashtë saj.(www.shkodrasport.com)