Trajneri i Vllaznisë Baldo Raineri është i kënaqur me ecurinë e deritanishme të skuadrës së tij. Kuptohet jo me atë në këto tre javët e fundit, megjithatë shpeshherë para medias “tund” si atribut të suksesit të tij 11 pikët e marra. Ky është fakt dhe askush s’mund ta mohojë por pyetja që lind rëndom është se sa vlejnë këto pikë të marra në ecurinë e skuadrës? Për këtë arsye, nganjëherë vlejnë më shumë statistikat.

Duke bërë krahasimin me një sezon më parë që duhet pranuar se ka qenë ndër më të vështirët për Vllazninë e cila vetëm në javën e fundit siguroi qëndrimin në kategori. Por ajo çfarë të bën të dyshoh për ecurinë e sivjetme është se numri i pikëve të grumbulluara është më i vogël se ai i një viti më parë. Në bazë të kësaj logjike, kuqeblutë duket se do i presë një “dimër” edhe më i ftohtë sivjet dhe mbase edhe pranvera.
Sezoni 2013-14
Një sezon më parë, duke iu referuar nëntë javëve të para të tij, aq sa janë luajtur edhe tani, ecuria e skuadrës ka qenë e mirë përgjithësisht. Madje Vllaznia ka qenë ndër ekipet që kishte grumbulluar më shumë pikë se shumë të tjerë duke qenë ndër të parët në renditje. Në fakt deri diku ka ngjashmëri me sezonin aktual. E pat filluar me humbje ndaj Flamurtarit në Shkodër por korigjoi gjithçka me fitoren në Kukës, duke mundur Tiranën e kështu me rradhë duke përfunduar me fitoren  ndaj Partizanit 1-0 brenda në Tiranë. Në 9 javë kampionat, edhe vjet me 5 ndeshje brenda dhe 4 jashtë, shkodranët arritën të grumbullojnë 16 pikë, me 5 fitore të arritura, një barazim dhe tre humbje. Edhe golaverazhi ishte shumë i mirë, me 15 gola të shënuar dhe vetëm 9 të pësuar.

 

 

 

 

 

 

 

 

Sezoni 2014-15
U nis keq. Me humbjen brenda në Shkodër ndaj Kukësit me rezultatin 1-2. Më pas u korigjua diçka me fitoren në Durrës 1-0 ndaj Teutës por ngjarjet në javën e tretë me Tiranën, ndikuan shumë në ecurinë e mëtejshme. Vërtetë në këtë takim kuqeblutë morën një pikë pas barazimit 1-1 por humbën tifozët e tyre për 10 ndeshje me rradhë si rrjedhojë e vendimit të dhënë nga Disiplina për incidentet e ndodhura në stadium. Pavarësisht kësaj, ekipi gjeti forca dhe barazoi 0-0 në Vlorë ndaj Flamurtarit. Deri këtu mirë, shto edhe dy fitoret në shtëpi me Apoloninë dhe Elbasanin dhe Vllaznia me 11 pikë (8 në fakt në renditje pas penalizimit që erdhi nga FIFA) ishte ndër ekipet më të mira të kampionatit. Por pikërisht këtu, duket se filloi tatëpjeta për Vllazninë. Krisja e madhe që u fillua të ndihej në mes ish-presidentit Nava me trajnerin Raineri fillimisht dhe më pas edhe me drejtuesit e Bashkisë, duke folur çdo ditë e më shumë për prishje të kontratës, patën ndikimin e vet të dukshëm. Për rrjedhojë, tre humbje rradhazi në kampionat (dhe një tjetër në kupë me Mamurrasin) dhe në fund të fazës së parë, Vllaznia ndodhet në vendin e shtatë me vetëm 11 pikë (8 në renditje), me 3 fitore të arritura, 2 barazime dhe 4 humbje. Edhe golaverazhi nuk është aspak pozitiv me vetëm 6 gola të shënuar dhe 10 të pësuar.
E ardhmja
Ajo që i shqetëson të gjithë është e ardhmja. Me pikët e grumbulluara Vllaznia është më keq se vjet. Mungojnë pesë të tilla në bilancin e përgjithshëm. Pozitive për të ka qenë mungesa e rezultateve edhe për Elbasanin, Apoloninë dhe Teutën, skuadra të cilat i ka lënë poshtë në renditje. Sa mund të zgjasë kjo gjë? Në fakt kjo varet nga Vllaznia sepse në prag janë ballafaqimet direkte me këto ekipe dhe nëse ndaj tyre merr pikë, ajo e ka “fituar” kampionatin e saj.
Gjergj KOLA