Dinamo luan të shtunën në Elbasan një ndeshje mjaft të vështirë, pasi përballet me Vllazninë kryesuese të Superiores. Blutë vijnë pas barazimit në Durrës me Teutën dhe shpresojnë që të tregojnë forcën e tyre reale ndaj shkodranëve. Trajneri Daja ka sërish mungesa, megjithatë objektivi i kryeqytetasve është që të arrijnë fitoren e tretë në këtë kampionat.
Braziliani Lorran, i cili luan sezonin e dytë me Dinamon, beson jo vetëm për kalimin me sukses të ndeshjes së radhës, por gjithashtu për një sezon, që do ta kthejë skuadrën e tij në majat e futbollit shqiptar. Mbrojtësi 28-vjeçar veçon ndryshimin pozitiv në skuadër me ardhjen e trajnerit Ilir Daja, të cilin e sheh si një element të rëndësishëm për ta çuar Dinamon atje ku pretendohet.
VLLAZNIA – “Mendoj se ne i kemi të gjitha shanset për ta fituar ndeshjen e kësaj jave me Vllazninë. Këtë e them duke pasur parasysh punën që kemi bërë javët e fundit, me ardhjen e trajnerit të ri. Kemi kaluar katër ndeshje pa humbur dhe kjo është e rëndësishme në një nivel të tillë futbolli. Është një kampionat i vështirë, nuk ka asnjë ndeshje të lehtë, skuadra e vendit të fundit mund të fitojë më atë të vendit të parë. Besoj se jemi rrugën e duhur”, ka thënë fillimisht braziliani i bluve.
ARDHJA E DAJËS – Për impaktin e trajnerit Ilir Daja në skuadër, Lorran shprehet: “Kemi pasur një ndryshim pozitiv me ardhjen e tij, në të gjitha aspektet, taktikisht dhe teknikisht. Punohet me intensitet të lartë në të gjitha seancat stërvitore, me mendësi fituesi, sepse siç e dinë të gjithë, ai është një trajner fitues. Kjo na ka ndihmuar shumë”.
OBJEKTIVAT – Më tej, për atë çfarë mund të bëjë Dinamo këtë sezon, mbrojtësi thotë: “Synimi ynë është të jemi kampionë, më e pakta që duhet të bëjmë është të rikthejmë Dinamon në vendet e para. Dhe i kemi të gjitha kushtet për ta bërë këtë, gjithmonë është e rëndësishme të luftosh për majat e klasifikimit”.
POZICIONI – Lorran është nga ata lojtarë që sakrifikojnë për ekipin. Ka luajtur në mes fushë, kur skuadra ka pasur nevojë. “Unë gjithmonë dua të ndihmoj skuadrën, në mesfushë, apo në krahun e majtë. Por ndihem më mirë duke luajtur në krahun e majtë, që është edhe pozicionin im natyral”, pohon braziliani.
GOLI I MUNGUAR – “Siç ju thashë edhe herën e kaluar, nuk kam qenë asnjëherë mbrojtës krahu golashënues. Megjithatë, kërkoj më shumë nga vetja për këtë dhe e di që do të vijë në kohën e duhur. Besoj se ai gol do të vijë së shpejti”, ka përfunduar titullari i Dinamos