Kryesuesi i Premier League në Angli, Manchester City është klubi me më shumë muskuj financiarë. Sipas studimit dhe raportit të publikuar nga “Soccerex”, “Qytetarët” kanë klubin aktualisht më të fuqishëm financiarisht në botë, me rritjen ekonomike potencialisht më të madhen. Janë pikërisht klubet angleze ato që dominojnë Top-10-shen e klasifikimit, me Arsenal të renditur në vend të dytë, Tottenham Hotspur në vend të pestë, Manchester United i shtati dhe Chelsea në vend të nëntë.

Klasifikimi bazohet në pesë faktorë kryesorë, përfshirë edhe investimin potencial të pronarëve të klubeve. Manchester City zotërohet nga multi-miliarderi Sheikh Mansour, anëtar i familjes mbretërore të Abu Dhabi, Al-Nahyan, që ka investuar fuqishëm te skuadra që nga koha kur mori drejtimin, gati një dekadë më parë. Klubi shpenzoi £215 milionë për blerjen e futbollistëve gjatë merkatos së verës, duke shënuar edhe rekordin për shumën e transaksioneve në një merkato nga një klub anglez.

“Soccerex Football Finance 100” merr në konsideratë gjithashtu edhe vlerën e futbollistëve në klub, asetet e paluajtshme, si stadium dhe komplekse stërvitore, shumën e parave të depozituar në llogaritë bankare, sikurse dhe borxhet neto. “Soccerex” sqaroi se kjo është arsyeja pse Arsenal renditet përpara Paris Saint-Germain (PSG), që pagoi shumën rekord prej €222 milionë (£200mln) për të blerë brazilianin Neymar nga Barcelona verën e kaluar, në transferimin më të shtrenjtë në histori.

Thuhet se modeli i melodisë së biznesit të Arsenal ka triumfuar, duke parakaluar PSG, pavarësisht mungesës së blerjeve dhe transaksioneve gjatë merkatos nga ana e “Topçinjve”.

Studimi dëshmon se Arsenal ka potencialet për të investuar në mënyrë mbreslënëse, nëse do të ndryshojë strategjinë e klubit. Në mënyrë të ngjashme edhe Chelsea u rendit në vend të nëntë, pavarësisht investimeve të konsiderueshme të Roman Abramovich. “Soccerex” shpjegoi se kjo ndodh për shkak se investimet e presidentit Abramovich, listohen si hua, për shkak të borxhit të madh të klubit.

Top-10 i klasifikimit “Soccerex”

  1. Manchester City
  2. Arsenal
  3. PSG
  4. Guangzhou Evergrande
  5. Tottenham
  6. Real Madrid
  7. Manchester United
  8. Juventus
  9. Chelsea
  10. Bayern Munich

Klasifikimi reflekton gjithashtu gjurmët revolucionarizuese të Kinës në tregun global të futbollit, me Guangzhou Evergrande që renditet mbi klubet elitare të Spanjës dhe Europës, si Real Madrid e Barcelona. Studimi tregoi se klasifikimi i Real Madrid dhe Barcelona u prekën nga struktura e anëtarësisë së pronarëve dhe mungesa e investimeve potenciale të pronarëve. Plot nëntë nga klubet e Super Ligës kineze u renditën në Top 100 klubet më të fuqishme, më shumë se Franca, Gjermania dhe Italia.

Drejtori i marketingut të “Soccerex”, David Wright deklaroi se qëllimi i studimit ishte të theksojë se si ka ndryshuar grafiku dhe trendi në futbollin global gjatë dy dekadave të fundit. “Synonim të krijonim një evolucion më të gjërë të financave të futbollit, diçka që të reflektojë realitetin modern të futbollit”, deklaroi ai.