Mario Beshiraj mbylli një sezon pozitiv me Teutën, ku rrjeta e tij e 4-t me Tiranën ishte më e rëndësishmja.
Ajo u dha bluve qetësinë e qëndrimit në Superiore. Paraqitja e sulmuesit në edicionin që lamë pas, ka qenë mjaft e mirë. Me golat e shënuar ai ka qenë përcaktues në disa nga fitoret e bluve. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Beshiraj bën analizën e skuadrës dhe shpreson që në edicionin e ri të bëjë akoma më mirë.
Pas përfundimit të kampionatit bëhet analiza e ecurisë së skuadrës. Sipas jush, a e meritoi Teuta vendin e gjashtë në renditje?
Na vjen mirë që arritëm vendin e gjashtë. Futbolli kështu është. Ne realisht patëm disi oshilacione në mes fazës së dytë e të tretë të kampionatit, ndërsa më pas morëm veten dhe hymë në ritmin e fitoreve. Më vjen keq që kemi lënë 1 ose 2 pikë në disa ndeshje që meritonim më shumë. Gjithsesi, mund ta quaj një sezon të mirë.
Jeni ndier mirë te Teuta këtë sezon dhe si e shihni vazhdimësinë?
Teuta beson te lojtarët e rinj dhe u jep mundësi të tregojnë vlerat e tyre. Ne e dimë gjithashtu se mund të japim edhe më shumë se kaq. Ne e dimë që kemi cilësi për të qenë të suksesshëm. Qetësia që të jep ky klub ben që mos të kesh nevojë për një periudhë te madhe përshtatjeje.
Sipas jush, çfarë mund të kishin bërë shumë?
Po i referohemi pyetjes se çfarë mund të kishte bërë më shumë, sigurisht që ka vend për shumë përmirësime. Tani, në këtë sezon që do të hyjmë, kemi pretendime të reja dhe mendoj se Teuta duhet të bëjë shumë më tepët sesa sezoni i kaluar.
Cili gol ka qenë më i bukuri për ju këtë edicion?
Në fillim kisha pak presion, por u ambientova shpejt me grupin. Nuk hasa vështirësi më vonë. Të gjithë golat që kam shënuar kanë pasur rendësinë e vet. Më vjen mirë që golat e mi arritën të ndihmonin ekipin për të qëndruar mes më të mirëve.
Çfarë note do t’i vendosni Teutës në këtë fund sezoni?
Do ta ndaja në dy pjesë, në fillimin dhe fundin e kampionatit, nuk e di notën, por keqardhje që nuk mbajtën ritmin e fazës së parë. Arritëm të shpëtojmë sezonin, ndërkohë që dhe fatin e kemi pasur kundra në fazën 4-t.