Rudolf Turkaj është emri që nuk duhet humbur dhe shansi ka ardhur për ekipet që kërkojnë diçka në këtë sezon. Mbrojtësi 30-vjeçar lezhjan ka qenë pjesë e Laçit për disa sezone, ndërsa më pas nisi një eksperiencë jashtë Shqipërisë duke shkuar në Francë, atje ku iu bashkua ekipit të Martigues. Më pas Turkaj ishte pjesë e Suharekës, atje ku kontrata ka skaduar tanimë.

“Pas përfundimit të kontratës me Suharekën dua të falenderoj klubin, shokët e ekipit dhe tifozët. Cdo eksperienc ka vlerën e saj dhe largohem me fokusin tek e ardhmja dhe ambicie të tjera. Faleminderit të gjithë atyre që ishin me mua dhe klubit i uroj suksese në vazhdim”, shkruan Turkaj në rrjetet sociale.

Kështu ekipet e Superiores që do të kërkojnë Turkajn tanimë, duhet të mendojnë vetëm për pagesën personale të këtij mbrojtësi, pasi ai është pa kontratë.

Një mbrojtës 30-vjeç i pjekur, lojtar i cili ka dhënë kontribut të madh dhe e ka treguar sesa i vlen lëkura edhe në Superiore duke mbajtur nivele të larta të futbollit me Laçin, ndërsa tani pritet që të rikthehet në elitën e futbollit shqiptar me një tjetër ekip, që ka aspirata të mëdha në këtë sezon. /Sport Ekspres/