Prej kohësh, Vllaznia është në kërkim të një mbrojtësi dhe emri më i lakuar ishte ai i Mevlan Adilit, me shkupjanin që i “dha” drejtim karrierës së tij, duke firmosur për Gjilanin së fundmi në Superioren e futbollit kosovar.
Por, te kuqeblutë, pavarësisht mosrealizimit të këtij objektivi, duket se tashmë vëmendja është përqendruar te një futbollist tjetër me eksperiencë në futbollin tonë. Fjala është për Rudolf Turkajn, mbrojtësin, i cili së fundmi mbylli bashkëpunimin me ekipin e Suharekës.
Duke parë që tashmë 30-vjeçari është një futbollist i lirë, ai shndërrohet në një objektiv jo vetëm për Vllazninë, por edhe skuadra të tjera të Superiores shqiptare. Kuqeblutë po bëjnë sondazhet e tyre për ish-futbollistin e Laçit, i cili edhe në të kaluarën është diskutuar për një transferim në Shkodër. Shtatlarti vendosi që ta vijonte karrierën në Francë te Martigues pas largimit nga kurbinasit. Tashmë lëvizja mund të konkretizohet pas 2 vitesh, megjithëse fillimisht duhet analizuar me vëmendje gjendja fizike e Turkajt, i cili ka vuajtur shumë nga dëmtimet në dy sezonet e fundit.
Lezhjani në futbollin shqiptar spikati me fanellën e Laçit në 4 sezone aktivizim me bardhezinjtë. Teksa në rolin e mbrojtësit të majtë, por edhe atë qendror, është aktivizuar edhe me ekipe si Besëlidhja (2014-16), Shënkolli (2016-17), Iliria (2017-19), Laçi (2019-2023), Martigues, Francë (2023-24) dhe Suhareka, Kosovë (2024-25).
MUNDËSIA E ARTË – Rudolf Turkaj është emri që nuk duhet humbur dhe shansi ka ardhur për ekipet që kërkojnë diçka në këtë sezon. Mbrojtësi 30-vjeçar ka qenë pjesë e Laçit për disa sezone, ndërsa më pas nisi një eksperiencë jashtë Shqipërisë duke shkuar në Francë, atje ku iu bashkua ekipit të Martigues. Më pas, Turkaj ishte pjesë e Suharekës, atje ku kontrata ka skaduar tanimë.
“Pas përfundimit të kontratës me Suharekën dua të falënderoj klubin, shokët e ekipit dhe tifozët. Çdo eksperiencë ka vlerën e saj dhe largohem me fokusin tek e ardhmja dhe ambicie të tjera. Faleminderit të gjithë atyre që ishin me mua dhe klubit i uroj suksese në vazhdim”, shkruan Turkaj në rrjetet sociale.
Kështu, ekipet e Superiores që do të kërkojnë Turkajn tanimë, duhet të mendojnë vetëm për pagesën personale të këtij mbrojtësi, pasi ai është pa kontratë. Një mbrojtës 30 vjeç mjaftueshëm i pjekur, lojtar i cili ka dhënë kontribut të madh dhe e ka treguar se sa i “vlen lëkura” edhe në Superiore duke mbajtur nivele të larta të futbollit me Laçin, ndërsa tani pritet që të rikthehet në elitën e futbollit shqiptar me një tjetër ekip, që ka aspirata të mëdha në këtë sezon.