Nga Gani PEMAJ
Tërbuni mbetet në ajër, pasi nuk është përcaktuar fati i së ardhmes së klubit pukjan. Prej kohësh Tërbuni ka dalë në shitje, por ka munguar interesi për të blerë aksionet klubit të futbollit. Më 5 gusht zhvillohet ankandi i radhës, ku shpresohet që ndonjë biznesmen ta privatizojë klubin.
Në rast se dështon edhe ky ankand, barra i mbetet kryebashkiakut Rrok Dodaj, që të menaxhojë funksionimin e klubit. Sa i përket Tërbunit të sezonit 2025-2026, që do të prezantohet në Grupin A të Kategorisë së Dytë, gjithçka duhet të nisë nga e para. Fillimisht duhet emëruart stafi i ri teknik, ku pankina mbeti bosh pas largimit të trajnerit Sinan Bardhi.
Më pas, duhet përzgjedhur kontingjenti i lojtarëve, pasi largimet kanë qenë të konsiderueshme nga skuadra pukjane. Edhe pse bëhet fjalë për një klub të themeluar në mars të vitit 1936, aktualiteti është i vakët në kampin pukjan, ku prej disa vitesh Tërbuni militon në nivelet inferiore të futbollit shqiptar. Shpresat e ringjalljes mbeten te privatizimi i Tërbunit, në rast të kundërt, krybashkiaku Doda është i detyruar të bëjë një tjetër sforco për të gëzuar tifozërinë pukjane.
Shefi i klubit, Bujar Mehaj, për “Panorama Sport” pohoi se Tërbuni do të ekzistojë, si dhe ka besim se do të dalë ndonjë biznesmen që ta marrë drejtimin e klubit. Në rast të kundërt, sipas tij, do të jetë kryetari i Bashkisë, Rrok Dodaj, ai që do të kujdeset për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri me lojtarë cilësorë, me shpresën për ta rikthyer në Kategorinë e Parë.