Trajneri i Laçit, Armando Cungu, ka komentuar me pozitivitet barazimin ndaj Partizanit, por ka theksuar se po bëhet e nevojshme për ekipin e tij të gjejë sa më parë fitoren.
“Në përgjithësi jam i kënaqur sa i përket lojës dhe çfarë treguan djemtë. Dëshira ishte maksimale për të marrë te pikë sot, ashtu si u zhvillua loja, ishim shumë afër.
Sidomos në pjesën e parë ishin momente që me qetësi mund t’i zgjidhnim e shënonim. Por me një ekip si Partizani, edhe barazimi mund të jetë një rezultat i pranueshëm.
Ndaj një ekipi si Partizani nuk të jepen shumë mundësi, ato pak që krijuam, duhet të shfrytëzosh. Kur e pësuam e dinim që duhet të shënonim. Keqardhje e madhe se u bënë disa ndeshje të tilla, duke pasur parasysh edhe ndeshjen e Elbasanit që e dominuam por dolëm pa pikë
Duke parë Laçin e sezonit të kaluar me këtë, ka ndryshime shumë të mëdha, aksi i ekipit është ndryshuar, kanë ardhur të rinj në moshë dhe të tjerë që duan kohë të gjejnë ritmin për të funksionuar ingranazhet. Por koha nuk na pret se i kishim oksigjen tre pikët, duhej ta bënim para tre javësh me Bylisin, Partizani është ekip me shumë kualitet, luks e lojtarë cilësorë, barazimi është i pranueshëm. Shpresojmë të vijë sa më shpejt të jetë e mundur fitorja se është e nevojshme për djemtë për të gjetur qetësinë.
Kjo është situata momentale, po punojmë shumë sidomos me daljet, për të dalë para portës e për të finalizuar, por nuk rregullohet brenda ditës. Melo është pikë referim për ne, por edhe ai si çdo lojtar ka momentet e oshilacioneve dhe në këto momente që flasim, nuk është se gëzonim formën maksimale, jam i bindur me egon e karakterin që ka, do të vijë në gjendjen më të mirë”, tha Cungu për RTSH pas ndeshjes.