Pasi verën e kaluar u fol gjatë për një transferim të mundshëm te Barcelona, emri i Nico Williams është rikthyer fuqishëm në skenën e merkatos. Agjenti i lojtarit, Félix Tainta, është takuar të premten në Barcelonë me drejtorin sportiv të klubit, Deco, me kërkesë të vetë Nico-s, për të eksploruar mundësinë e kalimit në “Camp Nou”, raportoi e përditshmja katalanase Sport.
Ndërkohë, Lamine Yamal – shoku i ngushtë dhe ylli i ri i Barçës – ka ndezur më shumë zërat duke postuar në rrjetet sociale foto të dyshes duke festuar gola së bashku. Tifozët kanë filluar të ëndërrojnë.
Williams, i cili ka kontratë me Athletic Bilbaon deri në vitin 2027, është në negociata për rinovim me klubin bask, por interesimi i skuadrave të mëdha si Bayern, Arsenal dhe, më herët, edhe Real Madrid, e ka komplikuar situatën. Madrilenët mohuan çdo kontakt, por pista e Barcelonës duket se ka mbetur e hapur.
Gjithsesi, drejtuesit e Barçës kanë qenë të qartë muajt e fundit: “Treni i Barçës kalon vetëm një herë”, kishin thënë pas dështimit të verës së kaluar. Presidenti Laporta dhe Deco e kanë përmendur shpesh se Luis Díaz i Liverpool-it është objektivi kryesor për krahun, edhe për shkak të një çmimi më të përballueshëm krahasuar me Nico-n.
Në horizont është edhe një opsion “ekonomik”: Ivan Perisic (36 vjeç), që pritet të largohet nga PSV si lojtar i lirë dhe ka besimin maksimal të trajnerit Flick.Për momentin, gjithçka është në ajër. Por merkatoja sapo ka nisur dhe saga ‘Nico-Barça’ premton një tjetër verë me shumë episode.