Nga Maringlen ZHIVANI
Klubi i futbollit Tërbuni ka bërë realitet afrimin e rradhës. Pukjanët kanë afruar në gjirin e ekipit të tyre portierin Manuel Alla. 22-vjeçari nga Elbasani, pritet t’i japë më shumë siguri kuadratit të skuadrës pukjane në prag të sezonit të ri.
Alla ka mbrojtur më parë ngjyrat e disa ekipeve shqiptare, mes të cilave KF Elbasani, KF Gramshi dhe KF Korabi, ku ka treguar rritje si portier. Afrimi i tij shihet si një lëvizje e duhur nga drejtuesit e Tërbunit, të cilët po punojnë për të kompletuar një grup të fortë e konkurrues.
Me afrimin e Manuel Allës, Tërbuni jo vetëm që përforcon portën, por shton edhe eksperiencën e një futbollisti që, pavarësisht moshës së re, ka provuar të luajë në nivele të ndryshme të futbollit shqiptar.
Ndërkohë, objektivi mbetet i qartë për Tërbunin, ku synohet një sezon i suksesshëm dhe ngjitja në pozita sa më të larta në renditje.(www.shkodrasport.com)