Sulmuesi shkodran, Ardit Nikaj, që aktualisht është pjesë e Skënderbeut, ndodhet pranë një ndryshimi të rëndësishëm në karrierën e tij.Nikaj është shumë pranë largimit nga skuadra, pasi ka interes serioz për të nga jashtë Shqipërisë.
Nga informacionet që qarkullojnë, më konkret është bërë propozimi që ka ardhur nga skuadra ukrainase Metalist 1925. Bisedimet mes palëve kanë nisur, ndërkohë që është vendosur komunikimi edhe me drejtuesit e Skënderbeut, pasi 23-vjeçari është ende nën kontratë me klubin korçar.
Për Skënderbeun, një marrëveshje e mundshme do të thoshte largimi i një prej lojtarëve më perspektivë, por njëkohësisht edhe përfitime në aspektin ekonomik.
Deri tani, asgjë nuk është zyrtarizuar, por sinjalet janë të qarta: e ardhmja e Ardit Nikajt pritet të shkruhet larg Shqipërisë. Nëse gjithçka konkretizohet me transferimin te Metalist 1925, kjo do të jetë një faqe e re dhe premtuese në rrugëtimin e tij futbollistik.