Futbolli në Shkodër ka nxjerrë shumë emra të mëdhenj në vite, në role dhe pozicione të ndryshme. Padyshim që, ata kanë lënë gjurmë me lojën që kanë zhvilluar dhe kontributin që kanë dhënë në fitoren e trofeve, por edhe lartësimin e emrit të Vllaznisë. Njëri prej tyre ka qenë edhe Hysen Zmijani.

Në një intervistë, Zmijani foli për Kupën e fituar nga Vllaznia në vitin 1987, teksa u shpreh se në atë periudhë emocionet kanë qenë të mëdha, pasi edhe Shkodra u ka bërë një pritje fantastike pas sukseseve, ndërsa theksoi se për të Vllaznia ka qenë çdo gjë.

“Kupa në vitin 1987? Ashtu si u bë, kishim frikë se e humbnim, sepse patjetër me një fjalë shkoi në kulmin e saj. U bë tragjedi. Fituam 3-0 këtu, shkuam atje 3-0 për Flamurtarin. Ata momentet që kanë mbetur me një fjalë, në memorien e gjithë Shkodrës dhe sportdashësve me një fjalë që, ishte një farë aksionit i komplet ekipit me një fjalë, por që detyrimisht Ferid Rragami e kurorëzoi, siç ka kurorëzuar edhe gjëra të tjera, por ajo ishte një gjë shumë fantastike, që ka mbetur në memorien e gjithë shkodranëve.

Padiskutim që kemi pasur emocione të mëdha atëherë dhe në atë periudhë, na ka pritur Shkodra në një mënyrë fantastike dhe na ka mbetur ajo Kupë në atë gjeneratë të jashtëzakonshme.

Vllaznia ka qenë çdo gjë. Prej këtu kam dalë, prej këtu kam krenarinë që kam qenë me Vllazninë. Pastaj, ato vlerat që i morëm me ekipet e Kombëtares, detyrimisht është brenda emri Vllaznia, që ne na ka çuar deri aty dhe jam krenar që kam luajtur me Vllazninë.

Shpresojmë që edhe këtë rradhë, të vijë Kupa në Shkodër. Edhe me ndërrimin e trajnerëve, edhe me freskinë, me njërën dhe tjetrën. Domethënë që pak si vonë, jemi duke menduar për këtë Kupë, por erdhi momenti me një fjalë që shpresoj të japin 100% këta çuna, sepse është në memorie. Pas disa vitesh nëse e fitojnë, kanë për t’u rikujtuar këto lojtarë. Kështu që, kjo është diçka fantastike po e sollëm në Shkodër”,-mbylli prononcimin e tij, ish-futbollisti i Vllaznisë, Hysen Zmijani.
Maringlen ZHIVANI