Legjenda shqiptare e ringut i ka përcjellë një mesazh mbështetjeje boksierit shkodran, i cili më 28 nëntor do të sfidojë Agit Kabayel për titullin kampion bote në peshën e rëndë në versionin WBC.
Një mesazh i veçantë për Nelson Hysën vjen nga një prej emrave më të njohur të historisë së boksit shqiptar, Luan Krasniqi. Ish-boksieri shqiptar, i cili provoi vetë emocionet dhe vështirësitë e një dueli për titullin kampion bote në peshën e rëndë, i ka përcjellë Hysës një mesazh inkurajues përpara sfidës më të rëndësishme të karrierës së tij.
Krasniqi i kërkon boksierit shkodran ta shfrytëzojë në maksimum këtë moment të veçantë, duke i kujtuar se mundësia për t’u shpallur kampion bote është një arritje jashtëzakonisht e madhe, që kërkon sakrifica, punë të palodhur dhe përkushtim maksimal.
“Beso te vetja dhe jep gjithçka në ring”, është një prej mesazheve më domethënëse të Krasniqit, i cili i uron Hysës fat, forcë dhe sukses në këtë sfidë historike.
Por këshilla e tij merr një kuptim edhe më të veçantë po të kujtojmë rrugëtimin e vetë Krasniqit. I lindur në Junik të Kosovës, ai fitoi medaljen e bronztë olimpike në Atlanta 1996, si dhe medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror të vitit 1995. Në boksin profesionist u shpall disa herë kampion Europe, ndërsa në vitin 2005 pati mundësinë të luftonte për titullin botëror WBO në peshën e rëndë, por u mposht nga amerikani Lamon Brewster në raundin e nëntë.
Tashmë, një tjetër shqiptar është pranë një momenti që mund të shkruajë historinë. Nelson Hysa do të përballet më 28 nëntor në Dyseldorf të Gjermanisë me kampionin e botës Agit Kabayel, në një duel për titullin WBC në peshën e rëndë.
Shkodrani mbërrin në këtë sfidë me një bilanc të jashtëzakonshëm prej 25 fitoresh në po aq ndeshje profesioniste, 23 prej të cilave me nokaut. Fitorja e fundit ishte ajo ndaj norvegjezit Thomas Narmo në gusht, kur Hysa e mbylli duelin në raundin e dytë.
Përballë tij do të jetë një kundërshtar i pamposhtur, me 27 fitore në 27 ndeshje dhe 19 nokaut. Kabayel është kampioni në fuqi i botës në versionin WBC dhe do të mbrojë për herë të parë titullin.
Për Hysën është shansi më i madh i karrierës, ndërsa për boksin shqiptar një mundësi e artë për të parë një përfaqësues të tij në majën e kategorisë më prestigjioze të këtij sporti.
Fjalët e Luan Krasniqit janë një tjetër mbështetje përpara një nate që mund të jetë historike për Nelson Hysën dhe Shqipërinë.


