Besëlidhja vazhdon “të rrëmbejë” futbollistë në Shkodër dhe i rradhës vjen sërish nga Vllaznia. Bëhet fjalë për mbrojtësin Arsid Temja. Ai për më tepër se një muaj ka qenë në stërvitje me “Vllaznia B” dhe trajneri i saj Brikeno Bizi e kishte projektuar si një nga lojtarët e rëndësishëm të kësaj skuadre.
Por në fakt gjërat kanë ndryshuar ditët e fundit. Në adresë të 23 vjeçarit shkodran ka ardhur një ofertë shumë e mirë nga Lezha teksa trajneri Elvis Plori dëshironte ta kishte me çdo kusht në rradhët e skuadrës që ai do drejtojë në sezonin e ri.
Dhe Temja nuk ka hezituar por e ka pranuar atë dhe tashmë është bërë pjesë e Besëlidhjes, në synimet e saj ambicioze për t’u ngjitur në kategorinë e parë të futbollit shqiptar.
Në fakt, më përpara lezhjanët kishin marrë edhe sulmuesin Nicolas Koffi nga “Vllaznia B” duke e dobësuar jo atë në pretendimet që ajo ka, por në këtë mes janë ofertat financiare ato që vendosin dhe po ashtu edhe Temja zgjodhi Besëlidhjen për të luajtur me të në sezonin e ri.
Ai konsiderohet një lojtar me cilësi shumë të mira dhe sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Tërbunit të Pukës, por në sezonin e ri gjërat kanë ndryshuar dhe ai ka një destinacion të ri ku shpreson shumë që të jetë i suksesshëm si në aspektin individual ashtu edhe me ekipin për të arritur objektivin e tij.(www.shkodrasport.com)