Nga Endri ÇINARI

Largimet duket se janë kryefjala e Vllaznisë në këtë merkato verore, me shkodranët të cilët kanë pasur shumë “firo” në krahasim me sezonin e shkuara. Kështu ditën e mërkurë nga 9 herë kampionët e vendit u larguan edhe dy futbollistë të tjerë. Fillimisht ishte Ildi Gruda, i cili duket se ka patur një mosmarrëveshje për çështjen e rinovimit të kontratë, e pas tij largimin nga kuqeblutë e zyrtarizoi edhe mbrojtësi, Dritmir Beci.

Një situatë që patjetër ka “turbulluar” ujërat në klub, në një moment ku dukej se skuadra e kishte mbyllur me largimet dhe po mendonte vetëm për përforcimet në prag të sezonit të ri 2025-26. Një fakt i tillë ka lënë shumë të pakënaqur edhe trajnerin, Edi Martinit, nga sa bëhet me dije në burime jo zyrtare pranë klubit dhe vetë teknikut shkodran.

Largimi nga skuadra e dyshes Gruda-Beci e ka dërguar në 10 numrin e futbollistëve të larguar nga Vllaznia deri më tani. Nga të larguarit mund të “formohet” thuajse një formacion, ku mungon vetëm një portier. Pasi nga reparti i mbrojtjes skuadrën e kanë lënë plot 5 futbollistë, duke nisur me dyshen Milos Stojanoviç dhe Marko Juriç. Që u pasuan më pas nga Flori Spahija dhe Serjan Repaj e teksa së fundmi nga shkodranët është larguar edhe Dritmir Beci.

Edhe në mesfushë ka pasur largime me peshë si Ardit Deliu, apo edhe Amir Kahrmanoviç. Teksa skuadrën e ka lënë edhe një element i perspektivës si Ersi Zaganjori. Po ashtu edhe sulmi ka pasur “defiçit” me ikjen nga skuadra të Mehdi Çobes dhe së fundmi Ildi Grudes. Futbollistë që kanë mbajtur peshë të konsiderueshme tek skuadra në sezonet e fundit dhe që patjetër duhen kërkuar zëvendësuesit e tyre sa më shpejt në merkaton e verës.(www.shkodrasport.com)