Vllaznia e femrave bëhet gati për sfidat e raundit të dytë të “UEFA Women’s Europa Cup” ndaj skuadrës së Inter dhe sipas rregullores, skuadra ka të drejtë të bëjë edhe ndryshime në listën e federimit.
Nisur nga kjo, presidenti Lazer Matija mësohet se nuk ka qëndruar në vend, por ka ndërhyrë menjëherë në merkato, për të tentuar marrjen e ndonjë lojtareje cilësore për ta forcuar edhe më shumë skuadrën në pikat ku ajo ka nevojë.
Gazeta “Shkodra Sport” mëson se numri 1 i klubit shkodran ka arritur akordin edhe me dy lojtare të tjera. Bëhet fjalë për meksikanen Claudia Fernanda Cid Macias, një lojtare 28 vjeçare që luan si qendërmbrojtëse dhe së fundi ka luajtur me një skuadër të Superligës meksikane.
Tjetra është futbollistja amerikane Anakah Nelli Madril, një 24 vjeçare që luan në rolin e mesfushores. Këto lojtare do të mbërrijnë këto dy ditë në Shkodër, ndërkohë që drejtuesit e skuadrës kanë vepruar shpejt duke bërë edhe rregjistrimin e tyre në mënyrë që t’i përfshijnë në listën e federimit që duhet të dorëzojnë në UEFA për ndeshjet e turit të dytë të këtij kompeticioni.
Kujtojmë që sfida e parë do të luhet më 8 tetor në ora 18:00 në Milano, ndërsa ajo e kthimit pas një jave në Shkodër. Pavarësisht emrit të kundërshtarit, Vllaznia e femrave do të provojë të kërkojë kualifikimin për në turin e tretë të “UEFA Women’s Europa Cup”.(www.shkodrasport.com)