Mirlind Daku, sulmues i Kombëtares shqiptare, është gjithnjë e më pranë qëndrimit te Rubin Kazan, teksa negociatat për rinovimin e kontratës janë në fazën përfundimtare. Pas një sezoni të shkëlqyer, ku la gjurmë me 15 gola dhe 8 asistime në vetëm 26 ndeshje, drejtuesit e klubit rus nuk duan ta humbasin liderin e repartit ofensiv.
Fillimisht, emri i Dakut u përfol për një kalim te Zenit Shën Petersburgu, por pasi ky opsion u shua, Rubin ka reaguar menjëherë duke i vënë në tryezë një kontratë të re deri në vitin 2029.
Aktualisht, Daku përfiton 700 mijë euro në sezon, ndërsa sipas propozimit të ri, paga do të rritet në 1 milion euro në vit, duke e vendosur atë në të njëjtin nivel me lojtarët më të paguar të ekipit, Valentin Vada dhe Aleksey Gritsaenko.
Në Kazan janë të bindur se Daku është një element kyç për të ardhmen e skuadrës dhe për këtë arsye po bëjnë gjithçka për ta mbajtur. Lëvizja konsiderohet si një hap strategjik për të ndërtuar një ekip konkurrues rreth një sulmuesi që ka treguar cilësi, vendosmëri dhe vazhdimësi.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, së shpejti pritet edhe zyrtarizimi i rinovimit, i cili do ta lidhte Dakun për një periudhë afatgjatë me klubin rus dhe njëkohësisht do t’i garantonte një status të veçantë në dhomat e zhveshjes dhe në fushë.