Kombëtarja gjermane do të luajë kundër Portugalisë në Ligën e Kombeve sonte në mbrëmje. Ndeshja, e cila është planifikuar të nisë në orën 21:00 në Mynih, do të përcaktojë se kush do të kalojë në finale, e cila do të zhvillohet të dielën.

Përpara ndeshjes, trajneri Julian Nagelsman dhe mesfushori Leon Gorecka diskutuan, ndër të tjera, edhe për kundërshtarin teknikisht të fortë. Trajneri i kombëtares zbuloi se kishte në mendje tashmë nëntë nga njëmbëdhjetë pozicione në lidhje me formacionin, por la edhe disa gjëra të hapura.

NAGELSMAN PARALAJMËRON PËR RONALDON – Trajneri i kombëtares e sheh këtë ndeshje si jashtëzakonisht të rëndësishme. “Është një lloj mini-Kampionati Europian. Pres me padurim të luaj me tifozët tanë në një stadium të bukur. Shpresojmë që të mund të luajmë dy ndeshje atje. Kjo do të ishte perfekte. Jemi të gjithë të emocionuar që do të luajmë këtë turne në Gjermani dhe, sigurisht, jemi ambiciozë”, tha ai.

Situata e vështirë me personelin me dhjetë lojtarë jashtë është sigurisht një problem, por sipas Nagelsman është një situatë që duhet të përballohet pa u munduar të shfajësohet. Nagelsman ka konfirmuar se Florian Virc do të luajë titullar në këtë takim. “Sigurisht që ai do të luajë që nga fillimi”, njoftoi Nagelsman. Prandaj, transferimi i afërt te Liverpuli nuk do të ketë ndikim në formacionin e kësaj ndeshjeje.

Natyrisht, edhe Kristiano Ronaldo ishte temë diskutimi. “Ai ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme gjatë shumë viteve. Të luash në këtë nivel për kaq gjatë është e jashtëzakonshme. Ai ka shënuar kaq shumë gola dhe ka pasur një ndikim të fortë në ekipet, për të cilat ka luajtur. Shpresoj që ai të mos ketë një ndikim kaq të fortë në këtë ndeshje. Pavarësisht moshës së tij, ai është ende shumë i rrezikshëm përpara portës dhe i fortë në ajër në zonën e penalltisë. Do të duhet të jemi vigjilentë nesër”, tha trajneri i Gjermanisë.