Nga Endri ÇINARI

Mesfusha ka qenë reparti më problematik i Vllaznisë në ndeshjen e parë të turit të dytë të Conference League. Kjo pasi shkodranët vuajtën mungesën dhe formën jo në 100% të disa prej titullarëve të skuadrës. Duke nisur nga Klinti Qato, i cili mungoi në përballjen e parë ndaj islandezëve. Me ish-futbollistin e Laçit që po vuan nga një dëmtin fizik që nga përballja dyshe me letonezët e Duagvpils.

Dhe po ashtu ka shumë dyshime rreth gjendjes së tij, nëse kuçovari do jetë i gatshëm për duelin e kthimit ndaj Vikingur apo jo. Por, nuk është vetëm gjendja e Qatos ajo që shqetëson në mesfushë. Pasi edhe Krymi dhe Sala nuk kanë qenë në kulmin e tyre të përgatitjes fizike.

I pari u pa që në fundin e ndeshjes ndaj Vikingur uli shumë ritmin, për shkak të një shqetësimi muskulor. Madje 29-vjeçari vetëm falë injeksioneve ka qenë në gjendje të luajë që nga minuta e parë ndaj ishullorëve. Ku prezenca e tij ishte në dyshim deri në momentet e fundit para nisjes së duelit.

E po ashtu Sala që kishte kaluar një gjendje viroze, u pa qartë se nuk ishte në më të mirën e tij. Prandaj tek Vllaznia po monitorojnë me vëmendje situatën e 3 mesfushorëve, të cilët janë shumë të rëndësishëm për skemat e Martinit. Me trajnerin shkodran që kërkon të ketë në dispozicionin e tij të gjithë futbollistët për ndeshjen e kthimit ndaj Vikingur. Dhe të tentojë kalimin historik në turin e tretë të Conference League për 9 herë kampionët e vendit tonë.(www.shkodrasport.com)