Maringlen ZHIVANI

Në barazim 1-1 është mbyllur dueli në mes ekipit të Drenicës dhe Mitrovicës. Një ndeshje kjo e shoqëruar me një luftë të fortë sportive nga të dy ekipet, por që në fund u ka dhënë nga një pikë secilit prej tyre.

Pjesë e ekipit të Drenicës është edhe qendërmbrojtësi shkodran Antonio Marku, i cili është një titullar i padiskutueshëm tek kjo skuadër, ndërsa nga ana tjetër tek Mitrovica luan edhe sulmuesi shkodran Albi Shpuza.

Kështu, ky derbi mes dy futbollistëve shkodranë është mbyllur në barazim 1-1. Në fakt, ka qenë KF Mitrovica e para që kaloi në avantazh, falë golit të shënuar nga futbollisti Zabërgja me penallti në minutën e 49-të.

Ndërkohë, në minutën e 66-të, vendasit arritën të barazojnë me anë të Gashit dhe kështu u mbyll gjithçka në barazim 1-1. Me këtë pikë, Drenica vijon të jetë e para në renditje në garë për ngjitjen në Superligën e Kosovës, teksa ndodhet në kuotën e 35-pikëve. Ndërkohë që, Mitrovica tashmë ka shtatë pikë dhe renditet e nënta.(www.shkodrasport.com)