Nga Endri ÇINARI
Vllaznia tashmë ka hyrë në “ethet” edhe emocionet e titullit kampion, ku shkodranëve i kanë ngelur vetëm dy ndeshje për të kurorëzuar një titull që mungon prej 24 vitesh në Shkodër. Kështu kuqeblutë do nisin gjithçka nga dita e dielë në orën 20:00 kundër Dinamos. Në ndeshjen gjysmëfinale të “final 4” për të marrë një rezultat pozitiv dhe shpresuar edhe tek kalimi në finalen e 12 majit.
Në një moment ku presioni është i lartë dhe nga të gjitha ekipet kërkohet titulli, tek kuqeblutë mund t’i besohet eksperiencës së trofeve të disa prej individëve të skuadrës. Kështu tek skuadra e Brdariç janë disa lojtarë që kanë provuar shijen e titullit kampion. Duke nisur nga Milos Stojanoviç i cili është dy herë kampion i Serbisë në sezonet 2013-14 dhe 2015-16 me skuadrën e Crvena Zveda.
Për të vijuar më pas me Esat Malen, i cili ka fituar titullin kampion të Superligës në sezonin 2018-19 me skuadrën e Partizanit. E ndërsa fitues i Superiores është edhe Ildi Gruda në ediconin 2020-21 me skuadrën e Teutës. Teksa shijen e titullit në Superiore e ka provuar edhe Alfred Mensah me Partizanin në edicionin 2022-23.,
Pra, disa futbollistë të cilët dinë se çfarë është të fitosh një titull kampion në rradhët e skuadrës së drejtuar nga Brdariç. Duke mos përjashtuar këtu as emra si: Qarri, Gurishta, Krymi, Deliu, Jago apo Balaj që kanë fituar kupa në kampionate dhe vende të ndryshme ku ata janë aktivizuar. Duke theksuar këtu faktin se tek Vllaznia ka futbollistë që janë mësuar me ndeshjet dhe përballjet për tituj dhe ofruar një garanci për këto duele të “final 4”.(www.shkodrasport.com)