KAPITULLI II

KUR NJË HISTORI E MADHE NIS ME NJË DËSHTIM.

Pikërisht në çastin kur pritej rimëkëmbja e Vllaznisë, si rrufe në qiellin e pastër vjen rënia. Ishte shuarja e një ëndrre të bukur. Kjo rini shkodrane, kjo përtëritje, ky freskim, ky bashkim i madh talentesh ishte paracaktuar që të dënohej pa mëshirë.

18 MARS 1962. Në këtë foto “antike” është 18-vjeçari Rragami dhe Vllaznia e tij në Durrës ku fiton Kupën e gazetës “Sporti popullor”. Nga e djathta: Hasan HASA, Zija DANI, Sadetin ZMIJANI, Selami DANI, Zija HALLUNI, Frederik ÇAPALIKU, Xhevdet BASHA, Ramazan RRAGAMI, Nikoll GJERGJI, Shuajp PREZA, Bep ÇEFA.

Një javë mbas humbjes në Vlorë, Vllaznia duhej të priste Dinamon në Shkodër. Kësaj radhe treshja e bukur Rragami-Dani-Rakiqi është 90 minuta së bashku në lojë. Ajo është një ndeshje e shkëlqyeshme e Vllaznisë dhe në të 17’ Rragami godet shtyllën e parë të tij në kampionatin kombëtar. Portieri dinamas Dhimitër Qoshja nuk kupton asgjë. Goditja e djaloshit shkodran ishte krejt e panjohur për dinamasit, të cilët shtangin. Kjo ishte gjuajtja e tij krejt e panjohur për fushat e blerta të futbollit shqiptar, që do të mbetej unikale. Pa shumë turr, shpesh thuajse nga vendi, topi plumb, gjithnjë i pagabueshëm!

Për minuta të tëra epërsia e Vllaznisë është një bukuri po e tanë. Selami Dani shfaqet si një talent i sigurt në udhëheqje të vijës së sulmit dhe thuajse nuk bllokohet prej miqve të cilët ishin kampionë në fuqi të Shqipërisë. Ndeshja i afrohet kësisoj barazimit, por minuta e 41-të është fatale për vendasit. Niko Bespalla, një nga goditësit më të mëdhenj të historisë së futbollit shqiptar, gjuan përmes një gjuajtje dënimi, topi kthehet nga shtylla e Zija Danit dhe Thoma Duro i shpejtë si gjithmonë, siglon 1-0! Vllaznia është në vendin e fundit me 0 pikë. Është vetëm java 2 e kampionatit, por fati i skuadrës së re shkodrane duket i vendosur qysh tash. Për histori skeda e ndeshjes është kjo:

Shkodër. 05.03.1961.

Kampionati kombëtar: VLLAZNIA – DINAMO 0-1

VLLAZNIA: Z. Dani; Çapaliku, Zmijani, Hasa; Rragami, B.Cungu; Alibali, Rakiqi, S.Dani, Medja, Çefa.
DINAMO: Qoshja; Rreli, Halili, Alluni; Verria, Lubonja; Tallushi, Bespalla, S.Jareci, Bushati (Çaushi), Duro.

GOLI: Duro 86’.

GJYQTARË: A.Dode, P.Valle, I.Bulaçi.

Më 15 mars 1961, Vllaznia humbet 3-0 me Partizanin në Tiranë, sepse dyshja Pano-Resmja është e papërmbajtshme. Kritiku i ndeshjes, prof. Skënder Begeja, shkruan se pavarësisht nga humbja, skuadra shkodrane “ka në gjirin e saj elementë teknikë mjaft të mirë, të cilët për të ardhmen japin shpresa të mira”. Parashikimi i profesorit të paharrueshëm, vite më vonë miku im i çmueshëm, do të jetë i pagabueshëm. E, në këtë rast, kuptohet se epiqendra natyrisht është Rragami ynë ose treshja Rragami-S.Dani-Rakiqi.

* FITORET E BUJSHME ME 17 NËNTORIN, HUMBJA FATALE ME LABINOTIN.

Në kontrast me këto përcaktime, megjithatë humbjet nuk i ndahen skuadrës shkodrane: 0-2 në Korçë me Skënderbeun, 0-2 në Kavajë me Besën! Ajo duket si e marrun fund.

Mirëpo, në Shkodër, ndodh ajo çka nuk pritej prej askujt. Vjen 17 Nëntori, skuadra kryeqytetase që mendohej pretenduese e titullit, teksa ndodhej në vendin e dytë mbas Partizanit. Dhe shënon dy herë Zija Halluni dhe ky përfundim tregon përsëri se për Vllazninë ky kampionat do të përshkohej përmes plot çrregullime humbjesh, ndeshjesh të bukura, naivitetesh të pafund.

Të gjitha këto kryesisht për mungesë pjekurie dhe deri diku edhe për shkak të një pleksjeje midis së resë së ndrojtur dhe të një përvoje që gradualisht po largohej nga historia, por që në mënyrë të pavetëdijshme ende rezistonte. Si të thuash, ishte një luftë e brendshme, e pakuptueshme midis së shkuarës dhe modernes së brishtë të Zan Rragamit e shokëve të tij…

Dhe qe tash ngjarja tjetër. Nuk kalojnë pak ditë dhe Traktori i Lushnjës, debutues i kampionatit, vjen e fiton në Shkodër 2-0! Vllaznia e Zan Rragamit të ri nuk u ikën vendeve të fundit. Lëkundjet e saj janë vërtet fantastike. Zani zhvillon një ndeshje të shkëlqyeshme me Partizanin në Shkodër, po Vllaznia humbet 0-2. Është dramatike. Vllaznia i dorëzohet edhe Besës së pamëshirshme 2-1 në Shkodër dhe tashmë dueli i saj me Traktorin dhe Tomorin për rënie shndërrohet në dramë përmes lëkundjesh të cilave askush në Shkodër nuk dinte t’iu jepte shpjegim.

Është 4 qershor 1961. Kjo është ndeshja e jashtëzakonshme, java 15 e kampionatit. Dhe? 17 Nëntori – Vllaznia 1-2! Brenda në Tiranë, në stadiumin “Dinamo” (sot “Selman Stërmasi”). Ajo duket si të ishte ndeshja e jetës për Rragamin e ri. Përballë shkodranëve është një 17 Nëntor po aq i ri, madje i talenteve po aq të mëdha: Fatmir Frashëri, Gëzim Kasmi, Ali Mema, Bahri Ishka, Niko Xhaçka…

Vllaznia ka trajner pikërisht Xhelal Jukën, atë që u kishte blatuar stërvitjet e para Rragamit me shokë te të rinjtë. Në të 32’ shënon Nuri Bylyku, po Rragami humb golin e tij të pafalshëm përballë Metanit! Në pjesën e dytë dëgjohet vetëm muzika shkodrane, ndonëse në kundërzbritje SK Tirana duhej të kishte shënuar përballë portierit Hysen Hoxha. Trajneri Juka e ndërron Hoxhën me të riun Zija Dani. Dhe barazon i papërmbajtshmi i atyre javëve, Zija Halluni. Këtu e merr fjalën taktika dhe papritmas 17-vjeçari Rragami është regjisori, madje edhe autori i fitores të cilën e vulos ai vetë duke shënuar pikërisht në sekondat e fundit! 2-1 në golin e parë të tij të rëndësishëm në jetë.

Ne, të rinj, tifozë të Shkodrës në Tiranë, e ndiqnim me sy si të ishte një zot, teksa i djersitur së bashku me shokët e vet të skuadrës, ai linte fushën e “Dinamos”. Vllaznia lë mbas Traktorin dhe Tomorin, e tash gjithë Shkodra nuk e mendon më rënien.

Po për fat, nuk do të ndodhë kështu…

Sepse, më 11 qershor 1961, mbërrin ndeshja fatale me Labinotin e Elbasanit në Shkodër. Them fatale, sepse Labinoti kërkon t’ia falë dypikëshin Shkodrës, ngaqë ai është i sigurt në vendin e katërt. Por ka një njeri që nuk lë assesi. Ky është portieri i dëgjuar Dylgjeri i skuadrës së Elbasanit. Vllaznia nuk arrin të shënojë as dy metra para portës. Dhe më në fund “xhentilesa” e miqve arrin deri aty sa ata të gatuajnë me qëllim një 11-metërsh për Vllazninë. Por Qamil Medja e çon topin ndër duart e Dylgjerit, kur Haki Kraja dëbohet nga loja, ndërsa elbasanasit shënojnë padashur një gol sepse Fadil Kovaçi me përvojë i ikën pikërisht mbulimit të Rragamit të ri dhe 1-0 përfundimtar për Elbasanin! U tha se Medja nuk kishte respektuar urdhrin e trajnerit për të mos e gjuajtur ai 11-metërshin, por një tjetër. A ishte ky tjetri i riu Zan Rragami, ai i cili do të bëhej penalltisti më i madh i Shqipërisë?…

* * *

VLLAZNIA E RRAGAMIT – SKUADËR E KATEGORISË II!

Dhe mu këtu, për atë vit 1961 merrte fund kjo Vllazni e re, e talenteve. Asnjëherë Kategoria e Dytë e Shqipërisë nuk kishte rrëmbyer skuadër më të bukur se kjo. Dhe Vllaznia që fiket përfundimisht me një 4-1 në Lushnjë mbas shtatë ditëve, sepse katërshja lushnjare Anatas Mitrushi-Selim Gjoci-Mimi Xhoxhi- Kristaq Gogoni është vërtet një kuartet i rrallë elasticiteti, burrërie, force në gjithë vijën mbrojtje-sulm.

Largimi përfundimtar i Vllaznisë ishte lënë për një javë më vonë, në Shkodër me fitoren 1-0 ndaj të rënit tjetër, Tomorit të Beratit, një fitore që s’mund të ishte kurrsesi ngushëlluese, edhe pse skuadra shkodrane renditet e 9-ta ndër 10 skuadra. Nëse do të ishin e pakta 12 skuadra, Vllaznia e 17- vjeçarit Zan Rragami e vitit 1961, kurrë nuk do të kishte zbritur në Kategorinë II. Dhe po ashtu, as Vllaznia e vitit 2018, e cila u rendit po e 9-ta si më 1961, po të ishin 12 a 14 skuadra pra, kurrë nuk do të binte në Kategorinë II. A e shihni se sa dëm bëni sidomos sot, duke e lënë Kampionatin e Shqipërisë me vetëm 10 skuadra? E nuk latë asnjë skuadër qyteti tradicional pa e flakur tej!

Deri Tiranë e Shkodër, Vlorë e Kavajë, Elbasan, Gjirokastër e Berat. Madje, duke i “zhdukur” deri në Kategorinë III! Të mjerët ju! Po të mjerët edhe ne që duke ua kërkuar shtimin e skuadrave si të ishit ju zoti vetë, na përgjigjeni me arrogance të pandalshme: “Jo!” Ndonëse kampionati i Shqipërisë veç juaji nuk është. Dhe çudi vërtet se si po ndodh që aq fort po na ndihmon këtu edhe historia e Zan Rragamit të madh për të freskuar idenë tonë tejet shteruese për vlerat e kampionatit të parë të Shqipërisë përmes rritjes së numrit të skuadrave.

Duke shkuar te 60 vjet më parë, çudia është se Vllaznia e re e asokohe dhe Zan Rragami, edhe pse kishin hyrë në histori me një dështim të madh, edhe pse skuadra shkodrane po zbriste për herë të dytë në Kategorinë II (1956 dhe 1961), ajo do të mungonte vetëm 1 herë në kampionatin kombëtar. Ky rast i rrallë shpjegohet me vitin 1962, kur FSHF nën urdhrat e aktualitetit politik, shndërron kampionatin kombëtar në Kupë të 50-vjetorit të Pavarësisë (1912-1962). Vllaznia e Rragamit të ri nuk merr pjesë në Kupën e Pavarësisë dhe luan në Kategorinë e Dytë, ndonëse Shkodra dhe malcia e saj kishin luajtur rolin kryesor në pavarësinë e Shqipërisë!…

Vllaznia 1961 e Kategorisë II është gjithsesi një skuadër e bukur futbolli, e cila në 18 ndeshje humb vetëm 1! Ka mundësi që ky të jetë një rekord më vete në historinë e këtij kampionati. E kësisoj, ky mund të jetë rekordi i parë i Zan Rragamit, të cilit rrufeshëm i bashkohet edhe ky rekord tjetër i tij, kur ai së bashku me skuadrën e tij zbret në Kategorinë II. Mirëpo, ja që Zan Rragami asnjëherë nuk ka munguar në kampionatin e parë kombëtar të Shqipërisë në të gjitha vitet e tij. Kjo për shkak të shndërrimit të kampionatit të vitit 1962 në Kupë të 50-vjetorit të Pavarësisë.

Le të shohim paksa trukun e paqëndrueshmërisë së stinës së futbollit 1962, që padashur favorizon skuadrën shkodrane, duke bërë që ajo të mos mungojë në kampionatin kombëtar të Kategorisë së Parë, siç quhej.

Më 10 janar 1962 hidhen shortet e dy të kampionateve dhe Vllaznia doemos është në të dytën nën shoqërinë e Tomorit të Beratit, Dajtit të Tiranës, Luftëtarit të Gjirokastrës, Yllit të Kuq të Pogradecit, Naftëtarit të Qytetit Stalin, Apolonisë së Fierit dhe Butrintit të Sarandës. Bukur deri këtu pra, çka do të thoshte se Vllaznia duhej të mungonte në kampionatin kombëtar.

Dhe doemos jashtë kësaj Kupe, ajo nis kampionatin e vet të Kategorisë së Dytë me një 6-0 ndaj Butrintit dhe 7-1 Luftëtarit, në Shkodër, por papritmas 0-1 në Pogradec. Diçka si rastësi, sepse vazhdon 4-0 me Apoloninë, gol i Rragamit, dhe kryesimi i saj që nuk ndal më. Mandej në Kamzë 2-0 Dajtit para shumë të rinjve shkodranë që jetonin në Tiranë! Në pushim skuadra ulet në barin e jashtëfushës dhe përreth saj, ne dëgjonim këshillat e trajnerit si në një ndeshje tipike të kooperativave bujqësore!

Kështu do të ecte: në kërkim të një shkëputjeje nga skuadra e fortë e Pogradecit dhe e Beratit. Më 3 maj Vllaznia merr e sigurt ndër duar kreun, tek fiton me Naftëtarin në Shkodër 2-0 dhe ky është çasti kur Rragami humbet një 11-metërsh të pritur prej portierit mik. Them se ky mund të jetë i vetmi 11-metërsh që ai ka humbur në jetën e tij!

Mandej vjen fitorja 2-1 me skuadrën e Pogradecit dhe Vllaznia e harruar, e injoruar, e përkujtuar thjesht prej disa radhëve të shkurtra gazetash, pa emra, pa autorë episodesh, nuk ndalet më. E ndiqnin vetëm tifozët e saj besnikë. 3-0 Tomorit në Berat, 4-1 Dajtit në Shkodër më 9 qershor 1962 – e kjo është dita e ringjitjes përfundimtare të Vllaznisë, për të cilën duhej të vinte shekulli XXI, më saktë viti 2018, që ajo të binte përsëri nga kategoria.

Mbas një jave me fitoren 2-1 ndaj Tomorit ajo është edhe “de jure” kampione dhe së bashku me Tomorin e Beratit, duke e lënë 4 pikë mbrapa atë, do të kalonin në kampionatin kombëtar. Bilanci është 10 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje, golat 34-6! Kurrë më një skuadër e Kategorisë së Dytë nuk do të kishte një epërsi të tillë. Dhe ndoshta rrallë do të vinte një skuadër kaq e fortë në këtë kategori: Z.Dani, S.Zmijani, Sh.Preza, H. Hasa, B.Çefa, Z,Halluni, Xh,Basha, F.Çapaliku dhe mbi ta treshja Ragami-S.Dani-Rakiqi. Ky është grupi që nis rilindjen e Vllaznisë.

* * *

“HARRESA” PËR RRAGAMIN E RI DHE DINAMO E PANAJOT PANOS.

…Dhe papritmas, ndodhemi përpara një rasti të jashtëzakonshëm në historinë e futbollit shqiptar. Duke qenë se Dinamo ishte skuadra e caktuar për të përfaqësuar Shqipërinë në Kupën Ballkanike, e gjithë përmbajtja e stinës së futbollit kalon në varësinë e kësaj pjesëmarrjeje. Partia kishte dhënë urdhër që Shqipëria të fitonte Kupën e Ballkanit, me sa duket ngaqë ajo nuk kishte vendosur ende të merrte pjesë në Kupat e Europës me klubet.

Ky pra, është rasti i famshëm kur Panajot Pano për 6-7 muaj me radhë është lojtar i Dinamos së Tiranës, duke pështjelluar krejt opinionin mbështetës të Partizanit, duke nervozuar sidomos gjeneralët e Ministrisë së Mbrojtjes, gjesti kulminant i të cilëve pas disa muajve, do të mbërrinte deri aty, sa në finalen për Kupën e Pavarësisë nuk do ta lejonin Panon të luante me Dinamon, e cila edhe pa të do ta fitonte atë Kupë. Viti 1962 ka qenë viti i madh i Mehdi Bushatit, i cili vështirë të ndalej në futbollin e tij elegant e sulmues.

Kështu është prishur kampionati kombëtar i vitit 1962, duke e lënë Shqipërinë pa një skuadër kampione! Dinamos i federohen lojtarët e skuadrave të tjera: Fatmir Frashëri, Miço Ndini, Panajot Pano, Xhavit Daiu, Ali Mema, Enver Ibërshimi… Asnjë lojtar i Vllaznisë nuk thirret në këtë lloj Kombëtareje nën emrin e Dinamos, pra as Rragami ynë i talentuar, i cili doemos ishte fort i ri për një thirrje të tillë: ai sapo kishte mbushur vetëm 18 vjeç.

Befasia, ndërkaq, është kur më 3 shkurt 1962, për herë të parë akordohet titulli i fundit sportiv i stilit sovjetik në Shqipëri, ai i Mjeshtrit të Merituar të Sportit, ndonëse prishja Shqipëri-BRSS sapo shpërthente. Befasia është se shpallet vetëm një Mjeshtër i Merituar: Loro Boriçi! Dhe po në këtë ditë shpallen dhe kandidatët për ekipin kombëtar duke u deklaruar se Shqipëria do të marrë pjesë në Kampionatin Europian të futbollit. Emrat e tyre sot vetvetiu marrin vlerë historike:

Portierë: S.Maliqati, Dh.Qoshja, A.Mitrushi, Z.Dani.
Mbrojtës: F.Frashëri, F.Deliallisi, M.Papadhopulli, S.Halili, Q.Alluni, Xh.Daiu, G.Kasmi.
Gjysmëmbrojtës: M.Ndini, H.Verria, G.Merja, L.Shllaku, A.Mema, T.Vaso, S.Lilamani.
Sulmues: K.Kraja, L.Vorfi, P.Pano, N.Bespalla, M.Bushati, S.Jareci, A.Pilika, S.Lubonja, R.Resmja, B.Ishka, Th.Duro, E.Ibërshimi, R.Jashari, N.Xhaçka, F.Buzi, L.Bytyçi, S.Seferaj.

Shumë rini, shumë talente dhe shumë kryeqytet. Vetëm për Rragamin tonë asnjë kujtesë, ndonëse në këtë përzgjedhje ka dhe moshatarë të tij të talentuar, por shumica e të cilëve nuk do t’ia arrinin të bënin karrierën e Rragamit në Kombëtare. Duhet kuptuar se asokohe vetëm prania me skuadrat e Tiranës, sidomos Partizani e Dinamo, mund t’i jepte nxitje karrierës së një futbollisti, qoftë dhe të një talenti të rangut të Zan Rragamit.

Dhe ja sfida e skuadrës së Shkodrës. Më 11 shkurt 1962, Vllaznia vjen në Tiranë për një miqësore pikërisht me Dinamon dhe është një 2-2 krejt i papritur, për habi para mijëra shikuesve. Dy herë kryesojnë dinamasit dhe dy herë barazon Vllaznia (Vorfi 37’, S.Dani 66’, S.Jareci 79’, dhe 87’ Vllaznia). E pra, çka ishte kjo ndeshje miqësore kur asokohe miqësoret kishin një rëndësi të veçantë?

Rëndësia e saj ishte një shêj befasues që tregonte se edhe një skuadër e Kategorisë së Dytë si kjo Vllazni rinore do të rilindte.

Gazeta “Sporti popullor” i kushton gjysmën e faqes së parë kësaj miqësoreje, që konsiderohet e bujshme për kah rezultati, përballë nënkampiones së Shqipërisë Dinamo, e cila kishte plot 11 lojtarë të thirrur me Kombëtaren e Shqipërisë. Ishin Dh.Qoshja, S.Halili, Q.Alluni, H.Verria, L.Vorfi, N.Bespalla, M.Bushati, S.Jareci, S.Lubonja, Th.Duro, F.Buzi. Autori i reportazhit të ndeshjes, Anton Mazrreku, shkruan:

“Skuadra shkodrane përbëhet nga lojtarë të rinj me perspektivë. Ajo mbrohet dhe sulmon me energji. Lojtarët shkodranë kanë mjaft rezistencë, por duhet të fitojnë një shpejtësi më të madhe në veprimet e tyre”.

Shkruhej kështu për një skuadër të kategorisë së dytë, emrat e të cilëve në këtë ndeshje ishin Z.Dani, Çapaliku, S.Zmijani, Hasa, Rragami, Xh.Basha, Z.Halluni (Xh.Dani), Preza – Shota, S.Dani, Rakiqi (B.Çefa), Kaceli.

Një njëmbëdhjetësh i cili po luante kundër Dinamos nënkampione në fuqi, skuadër kjo e cila mbas disa ditëve shkonte dhe fitonte 3- 2 në Bukuresht me Dinamon rumune dhe barazonte 2-2 me Levskin bullgar në Sofje – ndeshje të pashlyeshme këto për Shqipërinë e Kupës Ballkanike.

E, në Shkodër barazimi 2-2 “vllaznias” i Tiranës u prit si të ishte fituar kundër Kombëtares! Megjithëse kishte gati dy vjet që flitej për të rinjtë me shumë perspektivë të Shkodrës, ende asnjë dorë mbështetjeje nuk zgjatej drejt tyre! Treshja Rragami-S. DaniRakiqi është e gjithë pesha e lojës shkodrane. Po në fund të fundit, Vllaznia është skuadër e Kategorisë së Dytë! Çka duhej pranuar, si të thuash, pa bzâ…

* * *

18-vjeçari Zan Rragami fiton Kupën e parë dhe nuk mungon në Kampionatin Kombëtar

E megjithatë, skuadra shkodrane nuk ndalet te ky barazim kundër Dinamos kryeqytetase. Ajo fiton Kupën e gazetës “Sporti popullor” në garë me Korabin e Peshkopisë dhe Lokomotivën e Durrësit dhe Rragami është aty, pikë e fortë referimi për krejt lojën.

Vllaznia fiton në Shkodër 3-1 me Korabin e Peshkopisë dhe shkon dhe e fiton Kupën në Durrës mbas barazimit 1-1 me Lokomotivën.

Në shtyp botohet fotoja e Vllaznisë mbas barazimit 1-1 në Durrës që i dha Kupën dhe autori i fotos është as më pak e as më shumë, por sportisti dhe aktori i shquar i humorit, i famshmi Ramazan Njala, emrin e të cilit do të mbajë pallati i sportit në Durrës!

Ndërkaq, Partizani ka dorëzuar Panajot Panon te Dinamoja, e cila i bën një fillim të shkëlqyeshëm Kupës Ballkanike, pra: 3-2 në Bukuresht me Dinamon vendase, 2-2 në Sofje me Levskin dhe 0-1 në Stamboll me Fenerbahçen dhe është në krye të grupit! Protagonisti i këtyre përfundimeve të bujshme ishte një talent i rrëmbyer pak vite më parë, prej Vllaznisë, Mehdi Bushati, ndoshta në ndeshjet më të bukura të jetës së tij. Vllaznia dhe Rragami ishin jashtë këtyre sferave, të harruar, të flakur thuajse, dhe duhej të luanin Kategorinë e Dytë.

Ky është çasti kur shteti kalon në eufori. Nuk duhet prishur kjo Dinamo dhe për hir të saj nuk do të ketë kampionat kombëtar. Ndonëse gjithçka do të shkojë pa një sukses, sepse Dinamo nuk do ta fitonte Kupën Ballkanike.

Më 7 prill 1962 do të njoftohej anulimi dhe zëvendësimi i kampionatit me Kupë të 50- vjetorit të Pavarësisë simbas kalendarit të hedhur qysh në janar posaçërisht për këtë kampionat! Justifikimi është i shkëlqyer vërtet:

“Kampionati do të zhvillohet vjeshtë-pranverë, që të koordinohet më mirë aktiviteti ynë kombëtar e ndërkombëtar me atë të vendeve të tjera”.

Po, a mos dolëm disi jashtë teme të kësaj historie kushtuar Zan Rragamit? Them se jo. As historia e tij nuk mund të kuptohet pa ndikimet shpesh të pamëshirshme të historisë në tërësi të futbollit shqiptar. Sepse, në luftë me këtë histori, shpesh të papranueshme, ishte edhe protagonisti ynë e shokët e tij, disi të mpakur brenda mureve ndarës të Shkodrës, të cilën shteti e kishte harruar edhe në futboll…

Por, për fat, qysh nga ky çast, do të niste historia e re e futbollit të cilësisë së lartë të Vllaznisë së Shkodrës të Zan Rragamit, për t’u ndalur edhe një herë 57 vjet më vonë, në 2018, kur skuadra shkodrane do të binte për herë të tretë. Por kjo është histori tjetër. E rëndësishme është se qysh nga ai vit 1962 Shqipëria për dekada do të kishte Vllazninë e shkëlqyeshme të brezit të ri. Dekada që do t’i përkisnin edhe futbollit të pashlyeshëm të Rragamit – protagonist i përhershëm. Është historia e madhe e kohës së brezit të tij, të cilën do ta vazhdojmë në kapitujt e ardhshëm të tregimit tonë…
*Marre nga gazeta “Panorama Sport”