Shqipëria do të përballet sonte në transfertë ndaj Letonisë, në ndeshjen e katërt kualifikuese për këtë edicion. Në formacionin zyrtar për sot, iu ka bërë thuajse të gjithëve përshtypje lënia në stol e Elseid Hysaj dhe dhënia e shiritit të kapitenit Rei Manaj, i cili ka qenë në qendër të kritikave pas penalltisë së humbur ndaj Serbisë.

Në një intervistë të dhënë për “Superpsort” në lidhje direkte nga stadiumi, përfaqësuesi i stafit kuqezi, Ervin Bulku, ka shpejguar pse Rei Manaj mban sot shiritin e kapitenit dhe mbi të gjitha ka shuar kureshtjen e tifozëve nëse do e gjuajë ai penalltinë e radhës për Kombëtaren apo jo.

“Hysaj luajti shumë mirë ndaj Serbisë, por aktivizimi i Balliut nga minuta e parë sot është zgjedhje teknike e trajnerit. Pse Manaj mban shiritin e kapitenit sot? Sepse është zgjedhur në bazë të numrit të ndeshjeve me ekipin kombëtar. Fakti që humbi penalltinë, nuk do të thotë që të mos jetë titullar ndeshjen e radhës. Gjithsesi, në rast se fitojmë penallit sot, nuk do e gjuajë Manaj, por Asllani”, u shpreh Bulku për “Supersport”.