Shumë interesante megjithatë me shumë mundësi do jetë një realitet. Në fund të këtij viti ose më së shumti kur të zhvillohet Asambleja e rradhës e Federatës Shqiptare të Futbollit, klubi Vllaznia nuk do ketë më 9 tituj kampionë të fituar por 10. Bëhet fjalë për njohjen e tre kampionateve kombëtare që janë zhvilluar në vitet e luftës, pra më 1939, 1940 dhe 1942. Nga këto kampionate, ai i vitit 1940 është fituar nga Vllaznia dhe dy të tjerët nga Tirana. Kërkesa për njohjen e këtyre titujve kampione është bërë sot në emër të dy klubeve të mësipërme nga nënkryetari i Bashkisë Shkodër Ritvan Troshani. Sipas tij, është plotësisht legjitime, njohja e atyre kampionateve që kanë qenë mëse të rregullt për nga mënyra e zhvillimit. Ndërkohë Komiteti Ekzekutiv i Federatës, në Asamblenë e sotme vendosi krijimin e një komisioni për të shqyrtuar hapësirën ligjore dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me vlefshmërinë e tyre.

Komisioni do jetë i përbërë nga Bujar Kasmi, Artan Hajdari, Miço Papadhopulli, Ismet Bellova dhe Fatmir Efica. Ky komision tashmë do shqyrtojë dokumentacionin përkatës që do i ofrohet dhe do paraqesë raportin e tij në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së FSHF-së. Me shumë mundësi, ky organizëm do t’i miratojë ato dhe Vllaznia në fund të këtij viti, nuk do ketë më 9 tituj kampion por 10 tashmë. Fati kësisoj i ka mbetur në derë Bashkisë Shkodër, që është pronarja aktuale e Vllaznisë sepse ajo e “fitoi” titullin kampion të saj. Ndonëse në futbollin e luajtur, ekipi po lë shumë për të dëshiruar, gjithnjë një titull mund t’i shtohet palmarit të trofeve të këtij klubi dhe kjo është shumë e rëndësishme.

 

wwwshkodrasport.com