FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVllaznia, Laszlo zbulon një rol të ri për Patrik Bardhin

Vllaznia, Laszlo zbulon një rol të ri për Patrik Bardhin

Shkruar nga Endri ÇINARI

Patrik Bardhi është një nga futbollistët që ka marrë një detyrë të re në Vllazninë e drejtuar nga trajneri hungarez Caba Laszlo. Në fitoren minimale 1-0 ndaj Dinamos, tekniku kuqeblu vendosi t’i besonte 28-vjeçarit një pozicion të ndryshëm nga ai me të cilin ishte mësuar të luante, duke e aktivizuar si mbrojtës të djathtë.

Ish-futbollisti i Vorës u pa kështu në një rol që nuk ishte ndër më të zakonshmit për të gjatë karrierës së tij. Bardhi është dalluar kryesisht për kontributin në krahun e djathtë në fazën sulmuese, por këtë herë iu desh të përmbushte edhe detyrat mbrojtëse, në një ndeshje ku Vllaznia kishte nevojë për stabilitet dhe siguri në prapavijë.

Megjithatë, 28-vjeçari e përballoi me sukses këtë provë, duke dhënë një paraqitje në lartësinë e duhur. Përveç përgjegjësive në mbrojtje, Bardhi nuk hoqi dorë as nga tiparet e tij karakteristike, me shpërthimet në krahun e djathtë dhe tentativat për t’u bashkuar me aksionet sulmuese të shkodranëve.

Në një takim ku rezultati kishte rëndësi të veçantë për kuqeblutë, paraqitja e Bardhit ishte një sinjal pozitiv edhe për stafin teknik. Fitorja ndaj Dinamos i dha Vllaznisë tri pikët e para të sezonit, por njëkohësisht i ofroi Laszlos mundësinë për të eksperimentuar me alternativa të reja në formacion.

Në këtë mënyrë, trajneri hungarez duket se ka zbuluar një tjetër zgjidhje për krahun e djathtë, duke shfrytëzuar shpejtësinë dhe energjinë e një lojtari që mund të japë kontribut në të dyja fazat e lojës. Një përshtatje që, të paktën në provën e parë, rezultoi bindëse.

Mbetet për t’u parë nëse Laszlo do t’i besojë sërish fanellën e titullarit numrit 14 të Vllaznisë në këtë pozicion, apo nëse aktivizimi i tij si mbrojtës i djathtë ishte një zgjidhje e diktuar nga rrethanat e ndeshjes. Për momentin, Patrik Bardhi ka fituar një tjetër rol për të qenë i dobishëm në skemat e trajnerit hungarez.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments