Pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës është zhvilluar ndeshja e javës së 16-të e kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Studentit. Sfida më interesante e kësaj jave të parë të fazës së katërt, ka qenë pikërisht kjo e luajtur pra në Shkodër. Por në fakt, ajo nuk ka patur ndonjë surprizë brenda. Studenti ka arritur të fitojë dhe të ruajë vendin e parë në renditje. Djemtë e Ylli Tomorit e kanë fituar setin e parë në shifrat 25-21 duke patur deri diku konkurrencë nga shkodranët ndërsa në të dytin është e çuditshme por Vllaznia nuk arrin të shënojë më tepër se 8 pikë përballë 25 pikëve të Studentit që e ka fituar atë pastër. Edhe në setin e tretë dominojnë miqtë nga kryeqyteti që fitojnë me të njëjtat pikë si në setin e parë, 25-21 dhe krejt ndeshjes 3-0. Kjo është faza e fundit e kampionatit para se të nisë faza e play-off-it. Vllaznia e ka të sigurtë daljen në këtë fazë por ajo sërish do ndeshet me Studentin dhe nëse vazhdon të paraqitet si sot, do heqë dorë ndoshta shpejt nga pretendimet e saj megjithatë të shpresojmë në paraqitje ndryshe të djemve shkodranë.

www.shkodrasport.com