FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPërgatitjet ‘anti’ Egnatia, Vllaznia pritet të rikonfirmohet

Përgatitjet ‘anti’ Egnatia, Vllaznia pritet të rikonfirmohet

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat, ku do të përballet me Egnatian në transfertën e Rrogozhinës. Pas fitores së rëndësishme 1-0 ndaj Dinamos, kuqeblutë synojnë të vazhdojnë rrugën e rezultateve pozitive dhe të konfirmojnë se skuadra po hyn në një fazë më të mirë, nën drejtimin e trajnerit të ri, Csaba Laszlo.

Gjatë kësaj jave, në seancat stërvitore të drejtuara nga tekniku hungarez është vënë re një ritëm i lartë pune, me ngarkesa të konsiderueshme dhe kërkesa të qarta ndaj futbollistëve. Laszlo po përpiqet të imponojë filozofinë e tij te skuadra shkodrane, duke kërkuar më shumë intensitet, disiplinë dhe përqendrim, elemente që i konsideron thelbësore për mënyrën se si dëshiron ta shohë Vllazninë në fushën e lojës.

Paralelisht me përgatitjen fizike, një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe aspektit taktik. Trajneri dhe stafi i tij kanë punuar me vendosjen e skuadrës, duke provuar alternativa të ndryshme dhe duke analizuar mënyrat se si kuqeblutë mund të përshtaten me kundërshtarë të ndryshëm. Synimi është që Vllaznia të ketë më shumë ekuilibër në lojë dhe të jetë në gjendje të reagojë sipas situatave që paraqiten gjatë ndeshjeve.

Megjithatë, nga ajo që është parë në seancat e fundit, duket se Laszlo nuk ka ndërmend të bëjë ndryshime të mëdha në formacionin që triumfoi ndaj Dinamos. Fitorja e parë sezonale dhe paraqitja e skuadrës në këtë takim i kanë dhënë trajnerit sinjale pozitive, ndaj pritet që ai të ruajë boshtin e ekipit, duke ndërhyrë vetëm aty ku e sheh të nevojshme.

Kjo do të thotë se futbollistët që fituan besimin e teknikut në sfidën e fundit kanë mundësi të konfirmohen sërish nga minuta e parë. Sigurisht, vendimi përfundimtar do të merret pas vlerësimit të gjendjes fizike të lojtarëve dhe analizës së kundërshtarit, por deri tani nuk duket se ka hapësirë për shumë surpriza në formacionin titullar të shkodranëve.

Për Vllazninë, transferta e Rrogozhinës përfaqëson një tjetër provë të rëndësishme për të treguar se fitorja ndaj Dinamos nuk ishte një episod i izoluar. Kuqeblutë kërkojnë vazhdimësi në rezultate, ndërsa Laszlo synon të ndërtojë gradualisht identitetin e tij te skuadra. Në këtë situatë, duket se trajneri hungarez do t’i besojë parimit se formacioni fitues nuk ndryshohet, me shpresën që skuadra të japë një tjetër përgjigje pozitive në fushën e lojës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments