Sponsorizim nuk ka. Para për Europianin nuk ka e nuk ka! Të ardhura nga bastet, jo e jo!
Buxhet për padel e Kanye West do të ketë përherë. Së fundmi gjejnë lekë edhe për kick-boksin e zv.ministrit të sporteve. Edhe aty, para publike që nuk dihet ku shkuan e që duhet të jenë patjetër objekt hetimi nga Prokuroria, si para publike. Por do të ndalemi në një moment të dytë për këtë. Rrimë te shpulla e radhës që shteti i dha FSHF-së, sportit dhe 10 burrave të futbollit. Sponsorizimi i refuzuar, ajo që futbolli priste me kureshtje dhe shumë urgjencë, sërish u zhbë. Ose, më saktë, nuk bëhet më. Me heshtjen e Gonxhes, me duart e Petritit të lekëve, Rama sërish e zbythi me buzëqeshje futbollin dhe sportin, duke mos i servirur tubin e vetëm të oksigjenit që do të mund ta mbante pak gjallë për vitet në vijim.
Një tjetër test nervash për presidentët e Superiores, që presin prej muajsh që shteti të mos bëjë as më shumë e as më pak sesa modeli i Kosovës. Heshtja e Gonxhes, që për momentin po mbulohet nga vala e protestave, e ka zbehur pak refuzimin për të disatën herë nga shteti të ligjit për sponsorizimin në sport. Futbolli prej vitesh është nën kurimin dhe suportimin absolut të buxheteve personale e familjare të disa burrave, të cilët nesër, aspak çudi, mund të thonë: “Stop, se nuk shkon më. Nuk paguaj më nga lekët e familjes sime”.
Në realitetet aktuale, vetëm një klub mund ta perceptojë dividendin vjetor, vetëm ekipi kampion. Të tjerat thjesht dhe vetëm thellojnë gropën e madhe. Dhe kjo është një pasqyrë disa-vjeçare, që reflekton çdo vit në regresin financiar të klubeve në Shqipëri dhe, njëherësh, prodhon progres financiar në Kosovën tonë, ku shteti prej vitesh është shumë më sensitiv dhe faktik karshi ekzistencës së futbollit.
Gonxhe premtoi që prej asamblesë së vjetshme ta bënte fakt këtë ligj, si një tub utilitar financiar për klubet. E premtoi edhe në fund të korrikut, por tani heshti. Në një mënyrë apo tjetër, i detyrohet komunitetit të futbollit një arsyetim dhe shpjegim, sado fals, për këtë refuzim të radhës.
Thënë pak më shkoqur: Nuk duan ta bëjnë. Ose, edhe pak më qartë akoma: Kryeministri nuk reflekton asnjë vullnet politik këmbëngulës për t’i hapur një portë financiare biznesit, për të mbajtur futbollin, ose për t’i dhënë mundësi pjesës ende të paekspozuar të biznesit që të afrohet. Nuk mendoj që zoti ministër të jetë kaq gangster sa të dalë mbi një vullnet kryeministri, aq më shumë të një profili si ky i yni, që kemi dhe mund ta kemi, nuk di edhe për sa kohë.
Rama nuk do ta hapë portën e sponsorizimit. Arsyet i di vetëm ai, por të mendosh që një ministër i radhës rrëzon një vullnet politik të primarit është një idiotësi klasike. Natyrisht që burokracitë e administratës shpesh vonojnë procese, por kurrsesi nuk rrëzojnë vullnete politike. Edi Rama nuk do sërish ta bëjë këtë gjë. Arsyet le t’i japë vetë ai, edhe pse nuk e ka mendjen këtu, se ka njëqind kumuri të tjera mbi kokë.
Për të ardhur te futbolli!
Presidentët janë dorëzuar. Në kushtet kur nuk kanë dëgjuar ende një mashtrim të radhës, arsyetues nga shteti, do të vazhdojnë të paguajnë derisa një ditë të ndalojnë.
Të gjithë nuk mund të dalin kampionë, vetëm njëri mundet. Dhe kanë tre vjet që nuk ndërron dora, e kjo për faj të tyre, natyrisht.
Koha e negociimeve ka përfunduar me kohë. A ka menduar ministri i linjës dhe ai i lekëve që një ditë komuniteti i madh i futbollit t’i përshëndesë poshtë zyrës? Dikush mund të thotë: “Nuk është zgjidhje”.bNuk di çfarë do të bëjë FSHF-ja në lidhje me këtë shuplakë të shtetit për sponsorizimin, por një lëvizje medoemos i duhet ta bëjë në shërbim të komunitetit dhe anëtarëve të saj.
Nuk mendoj kurrë që ajo do t’i rekomandojë bojkotin, por veprimet radikale, si një lloj “mosbindjeje civile”, mund të zgjojnë sadopak instinktin refuzues të kryeministrit për të mos i konsideruar këta burra si “manikinë” apo bankomate, që vetëm duhet të paguajnë pafundësisht. Vërtet këtë gjë e refuzon Petrit Malaj i Financave, por certifikimin kryesor të rrëzimit të futbollit e mban vetëm Edi Rama. Apo jo, Taulant?
Ky nuk është kurrsesi një konstatim i një fletërrufeje politike, por një fakt që futbolli është dënuar nga shteti për të disatën herë, që të ngordhë dhe të futet në intubimin e gjatë financiar. Kohët e negociimit kanë mbaruar, afatet e durimit kanë eskaluar prej kohësh. Tani ka mbetur vetëm guri i fundit në skakierë: lëvizja radikale, bojkoti qoftë edhe për një javë i garës. Mbase ashtu mund të ndizet paksa ndërgjegjësimi dhe të nisësh të besosh që me futbollin dhe sportin nuk mund të tallesh çdo orë e çast.
Ose, në të kundërt, është gjithmonë edhe ftesa fisnike për të frekuentuar praninë besnike çdo të premte, në orën 17:00, për të depozituar aty secili president futbolli ankesën për sponsorizimin në sport, se mbase aty është rruga më e shkurtër. Aty, të paktën, mbajnë shënim diçka. Ku i dihet…


