Ardhja e trajnerit Laszlo në krye të Vllaznisë ka trazuar paksa gjërat dhe kjo u pa në ndeshjen e kaluar ndaj Dinamos, kur reparti i mbrojtjes kishte ndryshuar tërësisht. Një nga të “prekurit” e kësaj reforme ishte edhe futbollisti Randy Dwumfour i cili nuk luajti asnjë minutë në atë ndeshje.
Kjo situatë e krijuarh dhe pasiguria për të ardhshmen duket se ka bërë që vetë lojtari duke mos e parë ndoshta të sigurtë një vend në formacion dhe duke patur edhe një ofertë për të lëvizur në një skuadër tjetër, u ka kërkuar drejtuesve të klubit që ta ndëpresin kontratën.
Dhe pas bisedimeve të kryera ditën e djeshme duket se është arritur akordi për ndërprerjen e kontratës. Ndërkohë paraditen e sotme futbollisti ka qenë në ambientet e stadiumit ku ka takuar shokët e ekipit dhe është përshëndetur me ta, por edhe me stafin teknik.
Në këtë mënyrë këtu mbyllet rrugëtimi me kuqeblutë i një tjetër futbollisti teksa kujtojmë që Dwumfour është i treti lojtar që largohet pas fillimit të kampionatit, teksa i pari ishte Kobiljar dhe i dyti Çelikoviç.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


