Vllaznia në volejboll për meshkuj ka marrë një fitore shumë të bukur, por njëkohësisht të vuajtur ndaj Tiranës, në ndeshjen e javës së tretë të kampionatit, e cila u luajt pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ku u desh seti final për të përcaktuar fituesin.
Kanë qenë bardheblutë që e fituan setin e parë, ndonëse shkodranët e dominuan atë por shifrat në fund ishin 25-23 për miqtë. Vllaznia reagon duke fituar dy setet e tjera 25-22 dhe 25-23, por kur pritej që ajo ta mbyllte ndeshjen, seti i katërt do të shoqërohet me një rivalitet të madh dhe në fund do të ishte Tirana që do ta fitonte 28-26.
Një gjë e tillë bëri që ndeshja të shkonte në set final, aty ku kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja u treguan më të saktë dhe fituan 15-11 dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen me rezultatin 3-2-
Duhet thënë se tek Vllaznia janë rikthyer sërish dy lojtarët e huaj që kanë qenë edhe sezonin e kaluar pjesë e skuadrës, Sierra dhe Palacios prandaj dhe tashmë skuadra është më e plotë dhe më e vendosur për të bërë mirë në sezonin e saponisur.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


