Federata Shqiptare e Futbollit përgatitet të mbajë të martën paradite Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakonshme Zgjedhore. Në fakt, është kthyer në një serial procesi i zgjedhjes së presidentit dhe Komitetit të ri Ekzekutiv që pritet ta udhëheqin organizmin që qeveris futbollin shqiptar përgjatë 4 viteve të ardhshme.

Ky proces duhej të përmbyllej në Asamblenë e 2 marsit, por ka qenë Presidenti aktual, Armand Duka, ai që e ka kërkuar që pika e rendit e ditës për zgjedhjet e organeve drejtuese të FSHF për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv, të shqyrtohen në një datë tjetër.

Kjo kërkesë e kreut të FSHF-së është miratuar nga Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e datës 2 mars 2022, e cila ka patur në rendin e saj të ditës edhe miratimin e bilancit financiar dhe miratimin e buxhetit, miratimin e raporteve të auditorëve të pavarur.

Burime në FSHF kanë konfirmuar për RTSH Sport se Asambleja e 15 marsit parashikohet të zhvillohet normalisht, teksa gjithçka do të vijojë aty ku u la në atë të 2 marsit. Me pak fjalë, të martën do të zhvillohen zgjedhjet për president, ku janë 3 kandidatura, presidenti aktual, Armand Duka, por edhe Dritan Shakohoxha dhe Sulejman Starova.

Po kështu, janë edhe 12 kandidatura për anëtar të Komitetit Ekzekutiv, nga të cilët do të zgjidhen 10. Ndërkaq, janë konfirmuar emrat e delegacioneve të UEFA-s e FIFA-s si edhe personaliteteve të futbollit evropian, të cilët do të marrin pjesë në këtë Asamblenë. Nga UEFA të pranishëm në punimet e Asamblesë do të jenë anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Zbigniev Boniek, njëkohësisht edhe një nga Zv.Presidentët e UEFA-s, si edhe dy zyrtarët, Tierri Favre dhe Luka Nikola.

Ndërsa FIFA do të jetë e përfaqësuar nga në Asamble nga dy zyrtarët e lartë, Nodar Akhalkatsi dhe Sofia Malizia. Të pranishëm do të jenë Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini.