Atletika shkodrane në vite ka nxjerrë emra të mëdhenj të cilët kanë lartësuar emrin e Vllaznisë por edhe të kombëtares shqiptare. Nga rradhët e saj kanë dalë shumë kampionë e rekordmenë dhe njëri prej tyre është edhe Niko Laro.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse është një ditë e veçantë ngaqë ai feston 55 vjetorin e tij të lindjes dhe me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Niko Laro ka lindur në Shkodër më 14 mars 1967 dhe në rininë e tij përpos shkollimit është marrë edhe me atletikë. Si pjesë e ekipit të Vllaznisë ai ka arritur shumë suksese dhe si rrjedhojë është vlerësuar si një prej “atletëve të shekullit” në rastin e festimeve me rastin e 100 vjetorit të SK Vllaznia.

Ka konkurruar në garat 100 m, 200 m dhe 4×100 metra dhe në vitet 1988-1996 është shpallur 8 herë kampion i vendit, ndërkohë që ka thyer edhe dy rekorde kombëtare në garat e shpejtësisë.

Laro ka qenë anëtar i ekipit kombëtar për shumë vite dhe pjesmarrës në gara të ndryshme si kampionatet ballkanike apo dhe Kupat e Europës. Mbetet një nga emrat më shquar të atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare.
Gjergj KOLA