Nga Endri Çinari
Basania mori një fitore me vlerë në javën e parë të sezonit 2026-27 të Kategorisë së Dytë, me bushatasit që triumfuan 2-1 përballë Eagle. Duke i bërë kështu një start pozitiv edicionit e duke treguar ambiciet e tyre. Protagonist kryesor për skuadrën e drejtuar nga Arbër Shytani u bë Arsid Gërbeti. Me mesfushorin që shënoi një gol mjaft të bukur duke dhuruar pikët e plota Basanias. Në një prononcim për “Shkodra Sport”, ai ka folur pikërisht për këtë fitore dhe golin e shënuar. Teksa thekson se është vetëm fillimi e skuadra duhet t’i marrë ndeshjet një e nga një.
Gërbeti tha: “Besoj se morëm një fitore të merituar kundër Eagle, pavarësisht se gjithçka u vendos në minutat e fundit. E kemi dominuar shumicën e takimit, me raste që nuk u konkretizuan. E po ashtu pësuam gol në të vetmin rast që kundërshtarët kishin, e aty ndoshta duhej të ishim më të kujdesshëm. Por, në fund ia dolëm dhe morëm 3 pikët, që janë shumë të rëndësishme në nisjet e sezoneve.
Goli? Patjetër më gëzon fakti që shënova që në ndeshjen e parë me Basanian, por më tepër kënaqem që goli shërbeu për të marrë 3 pikë. Ndryshe ndoshta s’do kishte edhe aq vlerë. Ia dedikoj familjes, por edhe të gjithëve tek ekipi.
Synimet për zonat e larta të renditjes? Ne jemi ekip me djemë të rinj, shumica të ardhur këtë sezon në skuadër. Bashkë të gjithë me stafin drejtues e atë teknik do i vendosim objektivat nga ndeshja në ndeshje. Patjetër ne kërkojmë të fitojmë çdo herë, por me punë e me këmbë në tokë.
Përballja e dyfishtë me Gramshin? Po, do jemi dy herë kundër Gramshit këtë javë, fillimisht për kupën e pastaj kampionatin. Të dyja do jenë në transfertë dhe patjetër do kenë vështirësinë e tyre. Por, ne do përgatitemi në maksimum për të marrë më të mirën e mundshme nga të dy duelet kundër tyre”.


