HomeKRYESORENga Championshipi te Bayerni, Kompany: Një paradoks i çmendur në jetën time

Nga Championshipi te Bayerni, Kompany: Një paradoks i çmendur në jetën time

Vincent Kompany është gati për debutimin e tij në Champions League si trajner i Bayernit në ndeshjen kundër Chelsea-t, në ‘Allianz Arena’. Në konferencën për shtyp, tekniku belg nuk e fshehu surprizën e madhe për rrugëtimin e tij të shpejtë nga Burnley në Championship, te një nga klubet më të mëdhenj të Europës.

“Mendoj se duhet të rishikoj qasjen time: jo vetëm të mos komentoj mbi atë që kanë thënë Uli Hoeneß apo Karl-Heinz Rummenigge, por edhe mbi atë që ka thënë babai im,” – u shpreh ai me humor, duke shkaktuar të qeshura mes gazetarëve.

Pierre Kompany, babai i tij, kishte zbuluar verën e kaluar se disa klube angleze kishin shfaqur interes për të, mes tyre Tottenhami, Chelsea dhe Brightoni. Por, siç theksoi ai, kur vjen oferta nga Bayerni, “është e pamundur të thuash jo”.

Vetë Kompany e komentoi kështu këtë kalim të papritur:

“E vërteta është se nuk mendova shumë për këtë çështje. Ishte periudha kur isha i fokusuar te lufta për mbijetesë me Burnley-n dhe ajo ishte e vetmja gjë që më interesonte. Pastaj, gjithçka ndodhi papritur. Kishte disa bisedime, por nuk mund t’i quaja mundësi reale. Ishte ky paradoks: je i përqendruar te Championshipi dhe papritur shfaqen njerëz që shohin diçka ndryshe te ti.”

Trajneri i Bayernit shtoi se ndoshta një ditë do të zbulojë më shumë detaje rreth klubeve që e kontaktuan, por, për momentin, preferon të ruajë heshtjen.

“Ishte një paradoks i çmendur në jetën time, nuk mund të them më shumë tani,” – përfundoi ai.

Kështu, sfida kundër Chelsea-t të Enzo Maresca merr një kuptim të veçantë për Kompany, i cili për herë të parë do të udhëheqë Bayern-in në arenën më të madhe të futbollit europian.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments