Barcelona, ​​duke mposhtur Espanyol 4-2 në derbi, u rikthye si kampione e La Liga-s katër vite pas herës së fundit, që arriti ta priste e para vijën e finishit. Në krye të triumfit qëndron Xavi Hernandez. Ky është titulli i tij i dytë që nga rikthimi në Katalonjë, këtë herë duke udhëhequr Barcelonën nga pankina dhe jo në mesfushë.

Klubi Blaugrana është ngritur kësisoji nga hiri i tij, kur dukej se ishte rrëmbyer nga një krizë ekonomike thelbësisht e pakthyeshme. Përkundër të gjitha kufizimeve të vendosura nga “Fair Play Financiar”, mund të ndodhë gjithashtu që një ekip teknikisht i falimentuar të arrijë të shpenzojë 200 milionë euro në merkato falë “levave”, mendjemprehtësisë.

Prandaj nevojitet durim për ata që janë përpjekur të kthehen në rrugët më të virtytshme. Barcelona është defekti në matricën e futbollit, gjithnjë e më e ngjashme me financat e larta (ose anasjelltas). Me gjithë respektin për antagonistët brenda dhe jashtë kufijve kombëtarë spanjollë.

NJERIU I RILINDJES

Duke folur për paradokse, procesi i rithemelimit të Barcelonës mban një emër dhe një mbiemër: Joan Laporta. Presidenti i tripletës së parë historike, ai që mban inicialet e Pep Guardiolës. Ishte ai që në vitin 2021 rrëzoi Josep Maria Bartomeu nga drejtimi Blaugrana, presidentin e tripletës së dytë, por në të njëjtën kohë arkitekti i falimentimit ekonomik të klubit, ndihmuar edhe prej krizës pandemike të vitit 2020.

Për Laportën, në të njëjtën kohë pro-evropian, por me një frymëzim të fortë pavarësie nga mbretëria spanjolle, të gjitha rrugët të çojnë te Cruyff-i i tij pothuajse homonim. Asnjë kursim, përkundrazi. Rikuperimi i rrugës së investimeve, të jetuarit në të tashmen, pa menduar shumë për të nesërmen. Në të vërtetë, hipoteka e nesërme.

Me një borxh prej mbi një miliard euro, presidenti duhej të hipotekonte jo vetëm asetet e klubit, por edhe një pjesë të madhe të reputacionit. Lionel Messit i shfaqet dera, i detyruar të paketojë valixhet si çdo punonjës i Lehman Brothers më 14 shtator 2008. E dhimbshme, por e nevojshme për të shmangur “gjakderdhjen” e mëtejshme të llogarive. Pasuar nga ristrukturimi i borxhit.


NGA FUNERALI TE KUJDESIT INTENSIV

Duke përdorur një metaforë që i përket më shumë repertorit latino-amatrician të Claudio Lotitos sesa një eksponenti të kulturuar të klasës së mesme të lartë katalane, Joan Laporta përcaktoi situatën e Barcelonës së tij:

“Nëse vitin e kaluar kemi qenë në një gjendje terminale nga pikëpamja ekonomike, me kalimin e kohës kemi kaluar në terapi intensive dhe tani po e lëmë spitalin me leva të reja financiare”.

Por cilat janë këto leva financiare që përmend Laporta? Në vitin 2021, të ardhurat e ardhshme të klubit dalin në shitje për të marrë likuiditet të menjëhershëm dhe për të shmangur një mospagim të buxhetit.

25% e të drejtave televizive janë hipotekuar për 25 vite, janë shitur te “Sixth Street” për 320 milionë euro. Edhe 49% të “Barça Studio” janë shitur për 200 milionë të tjera.

Përveç kësaj, një marrëveshje sponsorizimi u nënshkrua me “Spotify”, që e vendos emrin pranë atij të “Camp Nou” dhe e vulos atë në pjesën e përparme të fanellës Blaugrana deri në vitin 2029, duke garantuar likuiditet për 250 milionë shtesë. Së fundi, një ristrukturim borxhi, me një kredi bankare prej 600 milionë euro.

Operacione që garantojnë një buxhet të plotë për të investuar në treg, duke ngjallur hutimet e klubeve të tjera të mëdha evropiane. Raphina, Lewandowski dhe Kounde mbërritën për një total prej 158 milionë euro, plus pagat e Kessié dhe Christensen, të cilët mbërritën si lojtarë të lirë, por me paga mjaft të shtrenjta.

Magjia e financave të larta…, manovra që Laporta pretendon se i ka aktivizuar me krenari. E ka bërë këtë jo vetëm duke u kufizuar në mbrojtjen nga sulmet, por duke shkuar në një përplasje kokë më kokë: “Ne do të garojmë kundër klubeve shtetërore. Do t’i zgjidhim vetë problemet tona, sepse jemi të ndryshëm”.

Referenca është e qartë dhe e drejtpërdrejtë për pronësinë e Katarit të PSG-së, e cila në dekadën e fundit ka rrezikuar, të paktën në nivel ekonomik, hegjemoninë e fisnikëve të mëdhenj të futbollit evropian.

Por mes dy investitorëve të fortë që vazhdojnë të shtyjnë përshpejtuesin, edhe kur shohin të çarën të materializohet para tyre dhe të afrohen gjithnjë e më shumë, metër pas metri drejt humnerës, a ka vërtet kaq shumë ndryshim?

Për më tepër, as tifozi më i zjarrtë i Barçës nuk beson se problemet ekonomike të “més que un club” janë zgjidhur përfundimisht. Në fund të sezonit do të ketë një buxhet për t’u ribalancuar, por sërish llogaritë nuk do të grumbullohen dhe për këtë arsye ekziston rreziku i një krize të re.

Tashmë flitet për “asgjësimin” e lojtarëve me ndikimin më të madh në llogaritë e klubit. E gjitha kjo, duke ruajtur një nivel konkurrence që e lejon Barcelonën të përsërisë dhe ndoshta t’i rrisë sukseset e këtij viti rilindjeje. Një arritje shumë e vështirë për këdo, por me Laporta president, një dritare shprese mbetet gjithmonë e hapur./telesport/