Teuta do të sfidojë Vllazninë në “Loro Boriçi” ditën e mërkurë duke nisur që nga ora 15:00. Një sfidë shumë e rëndësishme për djemtë e detit që do të synojnë fitoren për të mbyllur edhe llogaritë me mbijetesën dhe nga ana tjetër për të qenë më afër zonës europiane.

Por përpara këtij dueli jo çdo gjë shkon “vaj” për durrsakët. Janë plot 5 lojtarë që kanë prishur planet e Edi Martinit për sfidën me shkodranët. Erando Karabeci prej disa javësh ka probleme fizike, ku hernie diskale po ia bën të pamundur të jetë në fushën e lojës, teksa do të mungojë edhe në Shkodër.

As Jurgen Goxha me shumë gjasa nuk do të mund të jetë i gatshëm, pasi sëbashku me Blerim Kotobellin kanë shqetësime dhe nuk janë stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës.

Sikur të mos mjaftonin vetëm kaq, por në stërvitjen e ditës së djeshme nuk janë bashkuar me grupin as Sherif Kallaku dhe Artan Jazxhi. Të dy lojtarët janë dëmtuar dhe gatishmëria e tyre ndaj kuqebluve është në dyshim të madh. Gjendja e të dy titullarëve do të shikohet këto dy ditë, ndërsa shanset janë minimale.

Në këtë mënyrë Martini duhet të gjejë të tjera altenative për të zëvendësuar secilin prejt yre nëse nuk do ia dalin derii të mërkurën./newsport/