Ekipi i futbollit Besëlidhja ka barazuar 3-3 ndaj Partizanit B, që debuton sivjet në kategorinë e dytë. Kjo ka qenë ndeshja e parë miqësore e lezhjanëve për këtë sezon, që rezultoi me një start të vakët për skuadrën lezhjane, në radhët e së cilës këtë sezon janë afruar lojtarë cilësor nga merkatoja e kësaj vere.
Me objektiv ngjitjen në kategorinë e parë Besëlidhja, nuk arriti të bindë në testin e parë miqësor zhvilluar këtë mesjavë. Pasi në stadiumin e saj, barazoi 3-3 ndaj Partizanit B, një skuadër e ardhur nga Kategoria e tretë, duke lënë kështu një shije jo të mirë tek tifozët e shumtë, që e ndoqën ndeshjen në shkallët e stadiumit.
Kronika e ndeshjes…
Takimi nisi me surprizë, pasi miqtë kaluan të parët në avantazh 0-1. Reagimi i vendasve erdhi shpejt me golin e Rraboshtës nga pika e bardhë e penalltisë, duke barazuar 1-1. Loja vijoi me një ritëm mesatar dhe plot luhatje: Partizani B sërish në epërsi 1-2, Besëlidhja barazon me golin e Cofit 2-2, por pëson sërish dhe rezultati shkon 2-3 për miqtë. Në fund është Danaj që realizon dhe vendos rezultatin përfundimtar të kësaj ndeshje në barazim 3-3.
Në pjesën e parë trajneri lezhjan Elvis Plori, provoi afrimet e merkatos, ndërsa në të dytën i’u dha hapësirë futbollistëve të tjerë të skuadrës. Megjithatë, në të dyja fraksionet ekipi nuk tregoi stabilitet, duke u shfaqur shpesh i paqartë në organizim dhe i pasigurt në mbrojtje.
Analiza…
Barazimi ndaj një rivali nga kategoria e tretë është një sinjal, se Besëlidhja ka ende shumë punë për të bërë. Synimi për ngjitje në Kategorinë e Parë kërkon një nivel më të lartë loje, ritëm dhe stabilitet, që në këtë test na u duk se munguan.
Për rrjedhojë stafi teknik duhet të gjejë sa më shpejt ekuilibrat në mes afrimeve të reja dhe lojtarëve ekzistues. Puna në aspektin fizik dhe organizimin e lojës, duhet të jenë vendimtare në të ardhmen për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime.
Nëse Besëlidhja dëshiron të mbetet pretendente serioze, performanca e saj në fushë duhet të ngrihet ndjeshëm, që në ndeshjen miqësore të radhës, që luhet nesër përballë Luzit 2008, në stadiumin Besëlidhja. Për të vijuar më pas në ndeshjen e parë zyrtare në transfertë përballë Basanies, më 27.09.2025 dhe atyre vijuese, në përmbushje të ovjektivit të vënë.