Arsenali më në fund e ka gjetur qendërsulmuesin për t’ia dhënë Mikel Artetës. Sipas mediave portugeze, “Topçinjtë” kanë arritur një marrëveshje me Sporting për Viktor Gyokeres. Sulmuesi suedez, i cili vjen pas dy sezoneve të jashtëzakonshme në Portugali, është gati të kthehet në Angli ku luajti në Championship me Coventry City.

Një marrëveshje është arritur midis klubeve për një shifër totale prej 80 milionë eurosh, me Gyokeres i cili po insistonte të largohej nga Lisbona dhe kishte arritur një marrëveshje me Arsenalin prej javësh.

Ardhja e suedezit i jep Artetës një finalizues të jashtëzakonshëm në një ekip që ka pasur probleme të mëdha në aspektin e shënimit. Vitin e kaluar, golashënuesi më i mirë i “Topçinjve” në Premier League ishte Kai Havertz, i cili shënoi nëntë gola në ligë.

Këto shifra janë shumë pak në krahasim me ato të Gyokeres, i cili shënoi 97 gola në dy vjet te Sporting Lisbon, 54 vetëm sezonin e kaluar.