Nga Prof.dr. Xhevdet Zekaj
Shorti i raundit të dytë të kualifikueseve të “UEFA Women’s Europa Cup” 2025-2026 ka sjellë një duel të veçantë: Inter-Vllaznia për femra. Përballja e parë do të luhet më 8 tetor në Milano (KONAMI Youth Development Centre, ora 18:00), ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 15 tetor në Shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi”, po ashtu në orën 18:00.
Duket si një duel i pasionit dhe eksperiencës. Interi përfaqëson një nga klubet më të organizuara në Itali në futbollin e femrave dhe kërkon të shfrytëzojë përvojën në nivele të larta për të kaluar më tej. Nga ana tjetër, Vllaznia, kampionia e Shqipërisë për shumë vite radhazi, e kualifikuar edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, duke sfiduar rivalë si PSG, Real Madrid etj., synon të tregojë rritjen e saj dhe të dhurojë emocione për gjithë shqiptarët, duke synuar kualifikimin historik.
Skuadra shkodrane ka tashmë eksperiencë në garat europiane për femra, ku ka sfiduar kundërshtarë të fortë, ndërsa këtë herë do të përballet me një klub të madh, që ka mbështetjen e infrastrukturës moderne dhe kampionati tepër konkurrues si “Serie A Femminile”.
UEFA ka caktuar një treshe gjyqtaresh nga Finlanda për ta drejtuar këtë sfidë:
Lotta Vuorio (FIN) – Gjyqtare kryesore
Heini Hyvönen (FIN) – Asistente
Taru Tiensuu (FIN) – Asistente
Ky është një sinjal i qartë për rëndësinë që UEFA i jep ndeshjes në fjalë, duke caktuar arbitre me përvojë ndërkombëtare në garat e femrave. Shqiptarët që punojnë e jetojnë në Itali, sidomos ata në Milano dhe zonat përreth, duhet t’i japin një dorë skuadrës kuqeblu, ta mbështesin fuqishëm në këtë “provim” mjaft serioz, që mund t’i bëjë krenarë në fund të 90 minutëshit.
Nëse për Interin, kjo është mundësi për të treguar forcën e një ekipi që në Serie A është mësuar të luftojë kundër skuadrave si Juventus, Roma e Milani, për Vllazninë, kjo ndeshje përfaqëson jo vetëm sport, por edhe krenari kombëtare. Me siguri, vajzat kuqeblu do të kenë mbështetjen e diasporës shqiptare në Itali në ndeshjen e parë, ndërsa kthimi në Shkodër pritet të kthehet në një festë të madhe, nëse skuadra do t’i mbajë gjallë shpresat e kualifikimit.
